Të shtunën luajnë futboll Liga e parë dhe e dytë

Pas ndeshjeve kualifikuese dhe miqësores që kishte reprezentacioni i Maqedonisë, të shtunën kthehen ndeshjet kampionale në dy ligat e futbollit vendor.

Ekipi i Shkëndijës është mysafire e Sileksit në Kratovë, ndeshje kjo në të cilën për herë të parë si trajner i ekipit të parë do të debutojë, Jeton Beqiri. Kuqezinjtë mbajnë pozitën e tretë me 37 pikë, tetë më pak se Rabotniçki në pozitën e dytë, dhe plot 11 më pak se lideri Vardari. Ndryshe, në sezonin pranveror nën drejtimin e tani më ish-trajnerit Ardian Kozniku kuqezinjtë nuk bindën me lojë, por as edhe me rezultat, pasi në dys ndeshjet e fundit nxorën një barazim dhe pësuan një humbje.

Ekipi e Renovës në kuadër të xhiros së 22 do të takohet me Metalurgun. Pas tre fitoreve dhe një barazimi, “gjipspunuesit” do të tentojnë që sërish tu rikthehen fitoreve, mirëpo trajneri Qatip Osmani po ballafaqohet me probleme. Për këtë duel, i cili do të zhvillohet në stadiumin e qytetit në Tetovë, për shkak të suspendimeve, Osmani nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e dy futbollistëve, Argjent Gafuri dhe Pëllumb Jusufi, ndërsa Gjorgji Mojsov në ndeshjen e fundit kundër Sileksit u ndëshkua me kartonin e pestë të verdhë, që do të thotë se edhe ai do të mungojë në duelin e radhës. Në ndërkohë nga klubi bëjnë të ditur se në dhimbje në shpinë ankohet edhe Lavdrim Skenderi dhe sipas gjitha gjasave edhe ai nuk do të luan kundër Metalurgut.
Në ndeshjet tjera takohen: Bregallnica – Vardari, Pelisteri – Turnova dhe Teteksi – Rabotniçki.

Edhe Liga e Dytë do të sjellë duele mjaft interesante, ndërsa lideri i tabelës, skuadra e Shkupit kësaj jave do të kërkojë të merr pikë nga udhëtimi në lagjen Maxhari ku do të përballet me Euromilkun. Udhëtim aspak të lehtë nuk do të ketë skuadra e Vëllazërimti e cila është mysafire e Kozhufit, ndërsa në Bogovinë takohen dy ekipet shqiptare, Drita dhe Gostivari. Në duelet tjera janë këto përballje Napredoku – Makedonija Gj.P dhe derbi “Skopje” – Mlladost CD. Të gjitha ndeshjet e Ligës së Parë dhe të dytë do të fillojnë në orën 16:00. / Portalb /

Lajme të ngjashme

Back to top button