fbpx

Jemen, rebelët sulmojnë Pallatin Presidencial në Aden

Pavarësisht sulmeve ajrore të kryera në 7 ditët e fundit nga koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, rebelët Houthi vazhdojnë të zgjerojnë territoret dhe po marrin nën kontroll zonat kryesore në Jemen.

Zyrtarë vendas bëjnë të ditur se rebelët kanë sulmuar gjatë orëve të vona të së enjtes Pallatin Presidencial në Aden.

“AFP” raporton se rebelët, duke përdorur tanke dhe automjetet të blinduara, kanë arritur deri në zemër të qytetit-port, i cili cilësohet edhe si zona më e rëndësishme në Jemen.

Të paktën 44 persona kanë mbetur të vdekur gjatë luftimeve të ashpra, mes të cilëve 18 civilë. Ndërsa bëhet e ditur se ka mbetur i vrarë edhe një ushtar i Arabisë Saudite, i cili qëndronte si roje kufitare. Që prej fillimit të ofensivës ajrore, javën e kaluar, kjo është humbja e parë në radhët e Arabisë Saudite.

Qeveria e saudite thotë se qëllimi i operacionit të saj në Jemen është për të mbrojtur ‘qeverinë legjitime’ të presidentit Abdrabbuh Mansour Hadi. Ajo thotë se për momentin nuk ka në plan për të përfshirë në operacion edhe forcat tokësore. Para se të largohej për në Arabinë Saudite, në Aden ndodhej selia e presidentit Hadi.

Dëshmitarë nga qyteti kanë raportuar për trupa të pajetë që shtrihen rrugëve pasi agresorët sulmuan me bomba dhe snajper banorët.

Teksa luftimet vazhdojnë, civilët kanë qenë në qendër të shqetësimeve. Një zëdhënëse e agjencisë Mjekët pa Kufij tha për BBC se spitali i saj në Aden kishte pranuar mbi 500 persona të lënduar nga të gjitha anët e vendit në dy javë konflikt.

Ndërkohë, luftëtarë të Al Kaedës kanë sulmuar një burg, duke liruar rreth 200 të burgosur, disa prej të cilëve të lidhur me rrjetin terrorist. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button