Osmani përfundon kontratën me Bingolspor

Ka përfunduar aventura e futbollistit shkupjan, Florent Osmani me skuadrën turke Bingolspor. Osmani dhe tani më ish-skuadra e tij Bingolspor nuk arritën objektivin e tyre të kualifikohen një rang më lartë, pasi në takimin e fundit me Çizre Spor kanë barazuar pa gola, duke përfunduar në pozitën e dytë në tabelë.

Të gjithë nga radhët e skuadrës Bingolspor për këtë dështim e fajësojnë Federatën e Futbollit të Turqisë, e që për këtë është prononcuar edhe futbollisti Osmani, i cili ka thënë se ky ka qenë një dëshpërim i madh për tifozët dhe kryesinë, ndërsa për futbollistët ishte një ndëshkim i madh, pasi që shumë kohë kishin punuar për një sukses të mundshëm, kualifikim në Ligën e Tretë turke.

“Më vjen keq që nuk arritëm ta ruajmë pozitën e parë, pasi në ndeshjen e fundit luajtëm 0:0 kundër konkurrentit Çizre Spor. Por më tragjikja e gjithë kësaj është se pikërisht kësaj skuadre, Federata e Futbollit të Turqisë i dhuroi tri pikë nga ndeshja e ndërprerë me Tatvan G.B. E them këtë pasi në ndeshjen që e zhvilluan këto dy ekipe ndodhi një incident ku tifozët e Çizre Spor u futën në fushë dhe sulmuan fizikisht lojtarët e Tatvan, ku kishte shumë lojtar të lënduar. Kjo ishte njëjtë sikurse ajo që ndodhi mes Serbisë dhe Shqipërisë në eliminatoret për Euro 2-16. NË këtë duel nuk u dënua skuadra nikoqire Çizre Spor, por mysafirëve u morën tri pikë, të cilat ju dhanë skuadrës së Çizres, që në fund dolën vendimtare që ata të kualifikohen në Ligën e tretë”, ka thënë për “Portalb” Osmani.

Florent Osmani

Osmani edhe më tej po qëndron në Turqi ku është duke vazhduar bisedimet me disa klube të ndryshme, ndërsa sipas tij është e mundur që përsëri të kthehet në futbollin vendor nëse arrin marrëveshje me ndonjë nga skuadra e Ligës së Parë. “Në muajin qershor apo korrik do të shqyrtoj edhe ofertat tjera që kam. Nuk ka se pse të ngutem, ka kohë për të vendosur, thjesht sapo kam përfunduar me Bingolspor dhe më duhet të analizoj mirë se cili do të jetë destinacioni im i radhës”, ka deklaruar Osmani i cili para se të bashkohet me Bingolspor, luajti te skuadra e Shkupit, ndërsa me ekipin nga Turqia kishte 22 paraqitje ku shënoi shtatë gola dhe kishte pesë asistime. / Portalb /

Lajme të ngjashme

Back to top button