Genci Kojdheli : Ndiqni ëndrrat (Intervistë)

Genci me shumë sukses udhëheq drejtorinë e Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe ne e intervistojmë për të ndarë me ju suksesin e tij dhe të institucionit që ai drejton. Të rinjtë e kanë shndërruar këtë institucion si pikë shprese dhe besimi për të ardhmen. Genci flet për të tashmen dhe të ardhmen, për idetë, motivimin, suksesin dhe kënaqësinë që të jep puna.

 Intervistoi:  Venhar Ramadani

 Zotëri Kojdheli, Edi Rama në rrjetet sociale publikoi një fotografi që tregonte se në Shqipëri ka pasur 78.884 punësime më shumë nga viti i kaluar. Si është arritur ky numër?

G.KOJDHELI :Kryeministri ka publikuar këtë shifër, e cila është një kombinim i tre shtyllave: 1 – janë vendet e punës të zbardhura, pra vende pune të ashtuquajtura “në të zezë”, pra njerëz që punonin pa paguar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Këto janë vende pune të formalizuara. 2 – vendet e reja të punës, të ndërmjetësuara qoftë nga sistemi shtetëror (zyrat e punës) qoftë nga ndërmjetësimi privat apo rekrutimi direkt i kompanive. 3 – janë vendet e punës në sistemin bujqësor, pra njerëz që punojnë në fshat dhe që kanë paguar kontributet në sistem.

Ju jeni drejtor i Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe shumë të rinj e gjejnë punën nëpër zyrat tuaja rajonale. Si është organizimi i këtyre zyrave?

G.KOJDHELI :Zyrat e punës janë rikonfiguruar për t’iu përshtatur kërkesave të tregut. Ne kemi prezantuar një model të ri të shërbimit, i cili fokusohet tek profilizimi i punëkërkuesëve, tek gjetja e aplikantit më të përshtatshëm për vendin e punës vakant, tek drejtimi i punëkërkuesëve në qendrat tona të formimit professional, kur ata kanë nevojë për t’u formuar më tej, dhe tek kontakti i vazhdueshëm me bizneset partnere për të siguruar që ata marrin aplikantët më të përshtatshëm për vendin e tyre bosh.

Nga fillimi i Qeverisë Rama, në Shqipëri janë fuqizuar më shumë shkollat profesionale. Cili është roli i profesionit (zanatit) në ekonominë e një vendi të vogël në Ballkan siç janë Shqipëria dhe Maqedonia?

G.KOJDHELI :Vende si Shqipëria dhe Maqedonia kanë nevojë që të definojnë modelin e tyre ekonomik në përputhje me dinamikat e rajonit dhe kontinentit. Eshtë avanatzh për këto dy vende që ne kemi një popullësi relativisht të re, dhe krah pune relativisht të lirë. Por vetëm krahu i lirë i punës nuk mjafton.Në mënyrë që të tërheqim investime të huaja direkte, kemi nevojë për të rinj e të reja të kualifikuar në një nivel të lartë tekniko-industrial.Është e kotë që të gënjejmë veten dhe të themi se kemi nevojë për shumë njerëz të kualifikuar akademikisht, kur struktura ekonomike e vendeve tona imponon më tepër shërbime, turizëm, agro-industri, etj.Andaj dhe fokusi i qeverisë ka qënë ngritja e nivelit të shkollave profesionale.

Në Maqedoni pa punësia është 30-35%. Kush mendoni se është fajtor për këtë problem?

G.KOJDHELI :Siç e thashë edhe më lart, ekonomitë tona varen shumë nga ekonomitë e vendeve me të cilat ne kemi marrëdhenie tregtare. Kriza ekonomike ka impaktësuar shumë prej vendeve me të cilat Maqedonia dhe Shqipëria bëjnë tregti, apo vende që investojnë tëdy vendet tona, ashtu si dhe ka rënduar gjendjen e emigrantëve të cilët dërgonin remitanca në vendet respektive. Si pasojë, niveli i të ardhurave në ekonomi është ulur ndjeshëm, po ashtu edhe investimet e huaja direkte. Vendet e vogla si ne e kanë të vështirë të jenë financiarisht të konsoliduara për sa kohë që ka luhatje kaq të mëdha ekonomike në rajonin dhe kontinentin ku ne ndodhemi.

A jeni krenar me suksesin tuaj dhe a mendoni se duhet të jenë krenar të rinjtë për suksesin?

G.KOJDHELI :Suksesi më tepër më imponon që të vijoj punën se sa të ndihem krenar. Cdokush i hyn jetës me një set objektivash, dhe unë besoj se një pjesë të mirë prej tyre i kam arritur, por krenaria në të tilla raste më tepër shërben si pengesë sesa si shtysë. Më tepër se krenar, njeriu duhet të jetë ambicioz, dhe dëshirëplotë për të bërë përpara në jetë.

Si fillon një ide për ju?

G.KOJDHELI :Duke dëgjuar e duke lexuar. Më pëlqen të mbaj shënime, dhe kur ka dicka që vlen të përkthehet në një iniciativë, ulem me kolegët e mi dhe e rrahim këtë ide në detaj, për të parë se si mund ta kthejmë në realitet. Kyçi sidoqoftëështë që të përfshish të tjerët në procesin e zhvillimit të idesë, pasi askush nuk ka monopolin e dijes, dhe dicka që unë vetë nuk e mendoj, mund ta ketë menduar dikush tjetër. Procesi i kreativitetit duhet të jetë i shumëfishtë dhe unë e aplikoj këtë parim shpesh në punën time.

 Si i merrni kritikat?Si mund të ndikojë kritika në punën tuaj?

G.KOJDHELI :Varet shumë se kush ma bën të tillë kritikë. Ka njerëz që kritikojnë thjesht sepse janë kritizerë, sepse e kanë shumë të lehtë të kritikojnë, por nuk bëjnë asgjë tjetër vec kritikës.Të tilla kritika nuk i marr për bazë.Por nëse kritika më vjen nga bashkëpunëtorët e mi, atëherë e marr tepër seriozisht.Kjo sepse njerëzit me të cilët punoj më njohin dhe më vlerësojnë qoftë për mirë e qoftë për keq, dhe kritika e tyre është e sinqertë dhe objektive.Kritika është e vetmja mënyrë që unë të përmirësohem, dhe prandaj i shoh me shumë pozitivitet, gjithmonë duke konsideruar atë që më kritikon.

Çfarë mësimi jetësor aktualisht jeni duke mësuar?

G.KOJDHELI :Angazhimet e punës më lënë pak kohë për të mësuar gjëra të reja, por synimi i sivjetshëm është që të përmirësoj njohuritë e mia në frëngjisht.

Çfarë ju motivon?

G.KOJDHELI :Vetëm fjala e mirë. E vlerësoj faktin kur dikush vlerëson me fjalë punën dhe angazhimin tim. Më motivon mbështetja e kolegëve, më motivon ndarja e sukseseve të përbashkëta, dhe sigurisht që më motivon arritja e synimeve që i kam vendosur vetes.

Çka mendoni për televizionin si media? Si mund të rinjët të zhvillohen nëpërmjet programeve televizive?

G.KOJDHELI :Televizioni është përgjithësisht argëtim, dhe prirjet e fundit janë gjithmonë e më tepër drejt shfaqjeve dhe emisioneve argëtuese por me shumë pak përmbajtje edukimore. Sigurisht qëështë më mirë që një i ri të lexojë një libër sesa të shohë një reality-show prej të cilit nuk përfiton asnjë përvec argëtimit. Varet shumë se cfarë shohim në television; mund të fitosh pafund dije e informacion për botën ku jetojmë duke parë Discovery Channel apo History Channel, duke ndjekur CNN apo BBC, por ka plot programe që janë tërësisht pa vlerë dhe thjesht ofrojnë argëtim sipërfaqësor që përkthehet në humbje kohe.

A është suksesi në punë çelës drejt lumturisë? Si mund të arrijë lumturinë rinia?

G.KOJDHELI :Suksesi në punëështë vetëpërmbushje.Kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht sukses financiar.Njeriu mund të punojë në një punë me pagë modeste, por që e bën të ndihet mirë e i përmbushur. E rëndësishme është të punosh dhe kjo punë të të pëlqejë e të të nxjerrë në pah aftësitë e tua, dijen dhe kapacitetin tënd. Çelësi i lumturisë besoj se është që njeriu të gjejë vendin e vetë në shoqëri, në përputhje me angazhimet dhe përpjekjet e veta akademike e profesionale, e kombinuar kjo sigurisht edhe me një aspekt të rëndësishëm, qëështë krijimi i një familjeje të shëndetshme.

Si e filloni ditën? Si sugjeroni të rinjtë të fillojnë ditën?

G.KOJDHELI :Ditën e filloj duke lexuar lajmet vendase e ndërkombëtare.Informacioni është jetësor për botën moderne, dhe e shoh si një ndër mjetet kryesore për të pasur sukses në punë. E nis ditën herët, mbaj gjithmonë një axhendë të angazhimeve të mia, përpiqem të jem korrekt në kohë, dhe mbi të gjitha të mos shtyj punët për “më vonë”.

A mendoni se prindërit kanë pasur ndikim në karrierën tuaj? A duhet të rinjtë të konsultohen me prindërit për hapat në karrierë?

G.KOJDHELI :Prindrit kanë pasur ndikim pozitiv për sa kohë që kanë këmbëngulur që unë të lexoj shumë, të jem kërkues për veten dhe të kem një synim të qartë në jetë. Prindi ka rol kyc në formimin karakterial të individit, por për këshillimin në karrierë jo gjithmonë prindi ka informacionin dhe vlerësimin objektiv të situatës. Shpesh shoh që shumë të rinj kryejnë shkollim të caktuar sepse “kështu i kanë thënë prindrit”.Kjo është e patolerueshme dhe tërësisht e gabuar.Prindi duhet të përpiqet të kuptojë prirjet e fëmijës, duhet të jetë i ndërgjegjshëm që fëmija i vetë nuk është as më i vecantë e as më i aftë se të tjerët, dhe se kyci i performancës nuk është mencuria por vullneti dhe dëshira për të mësuar. Sot ka plot mënyra, mekanizma e institucione që mund të ndihmojnë dhe prindin dhe fëmijën që të kuptojë prirjet, tendencat dhe shanset për shkollimin e duhur.

Nëse do të mund t’i jepnit vetes suaj në moshë më të re ndonjë këshillë, cila do ishte ajo? Cila është këshilla që i jepni të rinjëve?

G.KOJDHELI :Këshilla që do i jepja vetes do ishte që të ndiqja ëndrrën time të hershme për sportin. Fatkeqësisht u ndava me sportin shumë herët në rini, dhe është një prej gjërave që më ka mbetur peng. Ndërsa për të rinjtë kam vetëm një këshillë: mos u dorëzoni kurrë, dhe mos rreshtni kurrë procesin e informimit! Sa më shumë të dish, aq më lehtë e ke të gjesh veten tënde në botë, dhe njëherë që e ke kuptuar këtë vend, e ke shumë të lehtë të bësh përpjekjet për ta përkthyer kapacitetin tënd në një angazhim professional e social.

Cili është libri dhe filmi juaj i preferuar?

G.KOJDHELI :Libri im i preferuar është “Aventurat e Tom Sojerit” nga Mark Twain, ndërsa filmi i preferuar është “Shawshank Redemption”, bazuar tek libri me të njëjtin titull i Stephen King. Pikërisht tek ky film kam gjetur edhe filozofinë time të jetës që është: mos u dorëzo kurrë, beso shokun e mirë, dhe ndiq ëndrrën tënde, sado e vështirë që ajo të duket.
Kjo intervistë është bërë nga vizione.info dhe Portalb.mk i ka të gjitha të drejtat e publikimit të intervistës, sipas marrëveshje së arritur mes palëve. Për më shumë intervista, ndjekni VIZIONE në rrjetet sociale.

Lajme të ngjashme

Back to top button