Ofensiva e dështuar e BDI-së

Vizita e ndërmjetësit të kontestit të emrit me Greqinë, Matthew Nimetz kaloi nën hijen e luftës ekonomike mes Kosovës dhe Maqedonisë. Vëmendja u shpërqendrua nga dështimi i radhës, Nimetz nuk solli propozim të ri, por e kundërta, palët tani dolën me qëndrime diametralisht të kundërta.
Pajtimi maqedono-grek tani gjendet në një pikë më të largët ndoshta se dhe para disa viteve, theksojnë analistët. Lënë anash rolin e VMRO-së, atëherë cili ishte efekti i “ofensivës diplomatike” të Bashkimit Demokratik për Integrim, që me gojën plotë thanë se “po shkojmë të çojmë përpara euro-integrimet”?

“Nuk duhet të dyshojmë në qëllimet e mira të Bashkimit Demokratik për Integrim për ta zhbllokuar procesin duke shkuar në vizita. Megjithatë edhe atëherë e ceka, në politikën e jashtme, lëvizjet pikë së pari bëhen brenda në shtet e më pas me qëndrim të ndërtuar shkohet jashtë. Pasi që nuk ka një qëndrim unik, roli që kishte BDI qe rol i vëzhguesit, të dëgjojë gjërat që tani më 20 vite i dimë” thotë për Portalb, ish ministri i jashtëm, Denko Maleski.

Sipas tij, në një vend me demokraci normale ndryshohen partnerët politik dhe arrihet qëllimi, por këtë nuk e bën dot BDI edhe pse do të mbërrijë 10 vjeçarin që premton integrime.
“Në rastin tonë kemi të bëjmë me një parti të madhe nacionaliste e cila e ka kidnapuar çështjen e emrit, dhe do ishte një lojë e rrezikshme për BDI-në nëse të themi do të kishte formuar shumicë parlamentare me partitë e tjera sepse te ne nuk funksionin demokracia normale. Nuk dihet si do të ishte pranuar një hap i tillë nga partia nacionaliste, a do të ishte shpallur si komplot kundër tyre. Normalisht BDI përpos kësaj, ka dhe interesant e saj partiake dhe personale që nuk e lejojnë të lëvizë nga gjendja aktuale.” thotë Maleski.

Për analistin Xhelal Neziri që në fillim ishte e qartë që BDI nuk ka kompetenca për këtë çështje dhe kjo “ofensivë” doli në “defensivë politike”.

“Që në fillim dukej qartë se nuk bëhej fjalë për ndonjë ofensivë diplomatike por për aktivitete partiake të BDI-së. Lideri i kësaj partie Ali Ahmeti nuk ka asnjë pozicion kompetent shtetëror për të ndërmarrë aktivitete të cilat do të kishin atributin “diplomatike”. Ahmeti dhe BDI, nëse vërtetë mendojnë ta zgjidhin çështjen e emrit, duhet të mendojnë për ndonjë ofensivë qeveritare dhe parlamentare” thotë për Portalb, Neziri.

Çfarë më tej?
Në vigjilje të raportit të ri të Komisionit Evropian për përparimin e Maqedonisë, vendi mbetet ende me nyjën në fyt, e cila mban emrin Greqi. Sa i përket zhvillimeve politike, pritet pozitivisht të vlerësohet puna e komisionit për zbardhjen e incidenteve të 24 dhjetorit.

“Hapi i ardhshëm do të ishte, një debat i hapur brenda Qeverisë për të ndërtuar një qëndrim të përbashkët dhe për të parë se si të përputhemi me shtetet që na përmbajnë për mos e humbur dhe ndihmën e tyre. Duhet konsultuar edhe opozitën si përfaqësues legjitim e një pjese të popullatës. Është e lehet të themi gjeta e një zgjidhje të përbashkët kompromisi, por me sa duket vështirë për ta realizuar” thotë Maleski.

Por ai shprehet pesimist se në dhjetor në mbledhjen e Ministrave të BE-së do të marrim datë bisedimeve me Brukselin.

“Situata e tillë do të vazhdojë edhe më tej nëse nuk ka debat dhe vullnet të sinqertë politik për zgjidhje të kontestit me Greqinë. Jam i bindur se kjo krizë nuk do të zgjidhet shpejtë, posaçërisht pas qëndrimeve të fundit.” thotë Maleski. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button