Mark Frroku sërish në qeli, Kuvendi miraton kërkesën e Prokurorisë

Ndërkohë që ishte në arrest shtëpie për çështjen “Doshi”, deputeti Mark Frroku është ndaluar të enjten nga policia, kësaj radhe për akuzën e vrasjes të ngritur kundër tij nga autoritetet belge.

Frroku është shoqëruar nga banesa e tij për në Drejtorinë e Policisë së Tiranës nga autopatrullat “Shqiponja”.

Ndalimi i deputetit Frroku, i dyti brenda pak ditësh, vjen pas votimit në seancë plenare në Kuvend, ku iu hap rruga kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e tij.

Deputeti Frroku herën e parë u arrestua në një lokal në pronësi të tij, ndërsa këtë radhë në banesë, për shkak se kishte një masë sigurie të arrestit shtëpiak të dhënë të shtunën e kaluar nga Gjykata e Lartë.

Prokuroria ende nuk ka bërë të ditura provat e saj që rëndojnë mbi deputetin Mark Frroku, prova këto që do të bëhen të ditura në Gjykatën e Lartë, ku do të kërkohet edhe një masë më shtrënguese për deputetin Frroku se ajo që ka aktualisht, arrest shtepiak.

Shoqërimi i deputetit Mark Frroku nga shtëpia e tij drejt ambienteve të policisë së Tiranës u bë rreth orës 13:30 minuta, dy orë pasi Parlamenti i kishte dhënë të drejtën për arrestim Prokurorisë. Shoqërimi është bërë nga forcat e komisariatit nr.6 në Tiranë, i cili mbulon edhe zonën ku ndodhet banesa e deputetit Frroku.

Lajme të ngjashme

Back to top button