Pse mediet ia shkoqisin vetëm gabimet a bindjet e gabuara hoxhallarëve?

Ja unë po them se shqiptarët ishin shumë më përpara në Kosovë sesa serbët. Po përse kjo fjali mua nuk më bën të famshëm sikurse Irfan Salihun? Përse gazetat nuk shkruajnë për mua, jo pse dua, por meqë për fjali të rëndësishme po shkruakan, atëherë përse edhe emri im të mos jetë pjesë e kryetitujve të gazetave? Ja unë po them se në kohën kur shqiptarët ishin në Kosovë, vetë Kosova si emër nuk ekzistonte, kurse serbët endeshin si endacakë Maleve të Karpateve. Disa serbëve të ardhur vonë në Kosovë, qerrja që shqiptarët atëkohë e kishin zbuluar u dukej si diçka jashtëtokësore. Sa të pagdhendur që ishin. Kaq! Ju pëlqen kjo që shkrova? Mund ta mohoni apo ta merrni për të saktë, mirëpo unë sërish nuk ju siguroj se dita e sotme do të jetë më e begatshme dhe më e arrirë. Sërish nuk mund ta mohoj se po këta të pagdhendur afro I shekulli na mbajtën nën tutelë e sundim, prej të cilëve sot e kësaj dite nuk po mund të lirohemi plotësisht. Ti mund të më thuash se stërgjyshi im kishte qenë njeri shumë i shkolluar, por unë që jam analfabet këtë gjë e marr si diçka të bukur dhe përrallore para gjumit, por sërish e nesërmja më gjen kokëbosh. Madje fqinji im që sot është i shkolluar duke u mbështetur në aftësitë dhe kualifikimet e mia me të drejtë më thotë se nuk ka mundësi që stërgjyshi yt të ketë qenë aq i shkolluar, kurse ti, pikërisht në këtë kohë të jesh kaq trutharë. Ç’të them, pos të mos merrem gjithaq me të kaluarën, sepse edhe ashtu ajo asnjë dobi nuk po ma sjellë. Madje do të merrem nëse e kaluara më sjellë ndonjë dobi sot, kurse për aq kohë sa e kaluara nuk arrin fare të ma ndryshojë gjendjen e sotme, nuk e di nëse do të jetë më mirë që përgjigjen për prapambeturi ta kërkoj në të djeshëm apo në të sotmen?

S’do mend se duhet të kritikohen edhe hoxhallarët. Madje shumë, ngaqë janë drejtpërdrejt në komunikim me shoqërinë, si dhe vetë puna e tyre i bën të jenë në qendër të vëmendjes. Mirëpo, kur vetëm lëshimet dhe gabimet e hoxhallarëve bëjnë bujë, madje prej disave shfrytëzohen këto gabime që të goditet edhe vetë feja islame, atëherë duhet t’i qasemi gjërave pak më ndryshe, aq më tepër duhet shikuar se prej kujt po kritikohen këta, ngaqë jo çdo kush është i denjë për kritikë, mbase edhe atëherë kur ka arsye të forta për të kritikuar. Lavires mund t’i vjen keq se shkaku i saj një burrë është ndarë prej gruas, por ajo assesi nuk ka të drejtë t’i kritikojë laviret që po ndikojnë në shkurorëzimin e çiftit bashkëshortorë, pos nëse ajo vërtet shkruan për veten e saj në veten e parë. Nuk mund të jetë mirësi kur gabimet, veset dhe sjelljet jo të matura ia rritë aq shumë, saqë nuk lë hapësirë për të shikuar nëse ka gjëra tjera brenda qerthullit të këtij njeriu. Si rrjedhojë e kësaj, për njerëzit e tjerë krijohet bindja dhe përshtypja se ky njeri është shumë i keq, mbase kanë argumente, por nëse do t’i shohin argumentet tjera që janë më shumë në numër dhe në cilësi, të cilët janë të ndryshme dhe të kundërta prej atyre argumenteve, atëherë rezultati i këtij ekuacioni do të dilte pak më ndryshe, madje krejtësisht më ndryshe.

Është më se e vërtetë se shqiptarët ishin në Kosovë përpara serbëve. Mbase të pohosh se serbët ishin në Kosovë para shqiptarëve, është gabim i madh historik. Jo pse këtë e thonë historianët (komunistë) shqiptarë, por edhe autorë të huaj, zbulimet arkeologjike e të ngjashme, dëshmojnë se këtu ishin ilirët (dardanët) shumë vite para serbëve ardhacak. Kjo është ajka prej asaj që unë kam lexuar dhe nuk është prodhim i mendjes sime, porse në këtë rast unë jam vetëm përshkrues apo formulues me pak rreshta i saj që kam kuptuar prej krahasimit dhe leximit kilometrik. Këtë gjë duhet ta lexojë hoxhë Irfani dhe shpresoj se do ta pranojë si të saktë këtë fjali, sepse ai dhe jo historianët tjerë, argumenteve historike duhet t’i referohen dhe jo të jenë ligjërues historie, ngaqë kjo ka dallim të madh.

Sa keq! Sa shpejt njerëzit i bëjmë aq të këqij, aq spiunë e serb më tepër se serbët. Për një pamaturi në një pjesë të ligjëratës, Irfan Salihu gjithandej po shahet e po shpifet. Ndonëse pak po këshillohet, paçka se lë përshtypjen e nxënësit kryeneç. Duhet punë dhe assesi të dorëzohemi edhe përballë kryeneçëve në ndonjë segment.  Rrjedhimisht, po harrohen të bëmat e atyre që tani, pikërisht sot po puthen me jargë e po përqafohen me Aleksandrin dhe Daçiçin. Sigurisht, gazeta antinjerëzore ekspres për shpifje dhe për shkoqitje të gabimeve a bindjeve të gabuara që i pasqyrojnë disa hoxhallarë, po përgatitë terren për ndonjë mynxyrë të radhës, mu ashtu sikurse në kohën kur po përgatitej ligji për veteranët e luftës, një lozonjare që përqafonte e puthte tekanjozët ndërkombëtarë, publikoi një ligjëratë të Irfan Salihut, ku përpos mënyrës së shprehjes, tjetër gabim nuk kishte thënë përgjatë asaj ligjërate. Kjo makineri që po pati fuqi më të madhe do t’ia grinte edhe kockat njerëzve, po ia kthen qafat mbrapa njerëzve në mënyrë që ta fusë tigrin e rritur në Serbi në oborrin tonë, ku pastaj të ngelet vetëm të trishtohesh, ngaqë masat për mos lejimin e tigrit në oborr kishin ikur në çastin kur qafat i kthyet panevojshëm vetëm pse dikush ia paska dhënë fishkëllimës. Sa keq të thuhet se hoxha na qenka spiun vetëm për një shprehje të mendimit, kurse alkoolistët ende po mëtojnë të hiqen si udhëheqës trima e punëtor, ani pse po mundohen t’i shesin edhe pak këto troje që na kanë mbetur

Njerëz, nëse mendojmë t’i marrim fjalët e Irfan Salihut, atëherë le t’ia marrim nja 100 tjera që i ka me vend, fundja këtë pavend le t’ia lëmë anash apo le t’ia hedhim në koshin e plehrave dhe le ta këshillojmë që të jetë më i matur herëve tjera, sepse panevojshëm po del në pozitën e punëtorit furnizues të gazetës skandaloze ekspres. Të mos ia harrojmë 100 tjerat, ndërsa të mos ia marrim vetëm njërën për ta ndërtuar pastaj ngrehinën e akuzave dhe urrejtjes ndaj tij. Nëse dikush mendon të flet në aspektin metaforik për duar të zgjatura të Serbisë, atëherë ata i keni në qeveri dhe disa të shpërndarë aty-këtu nëpër institucione të ndryshme. Ata e bëjnë politikën dhe jo Irfan Salihu. Fundja, Irfani flet për politikë e histori, kuptohet duke gabuar aty-këtu e duke ia qëlluar ndonjëherë, edhe pse ai këto gjëra duhet t’i merr si referencë, ngaqë ka kush e shpjegon se çka është historia e çka politika. Kësodore, fatin e kombit tonë nuk e patën këta që gjithandej po fliten si objekt skandali dhe as që tani e kanë në dorë, saqë sot t’i akuzojmë, thuajse akademia e shkencave serbe këtë pjesëz të ligjëratës do ta merr si referencë, por të tillë janë dhe ishin ata që sot më së paku po quhen si shkije, edhe pse shumë pak dallonin dhe dallojnë prej atyre. Ndonëse e harruam Ali Shukrinë, Sinan Hasanin, Rrahman Morinën e shumë të tjerë, në mesin e të cilëve edhe intelektualë të ndryshëm, të cilët përmes nënshtrimit të tyre shkruan historinë tonë. Rastësisht nuk jemi kaq keq dhe kush kishte pozita kyçe në shtet e pushtet përgjatë dekadave? Irfani nuk kishte!

Lajme të ngjashme

Back to top button