Skandalet e funksionarëve të korruptuar dalin në pah! Ku janë sanksionet?

Kryetari i partisë opozitare maqedonase, Zoran Zaev zbuloi skandalin e radhës për korrupsionin e shefit të inteligjencës Sasho Mijallkovit në bashkëpunim me kryeministrin Nikolla Gruevski, ku bëhet fjalë për blerjen e materialeve për policinë sekrete nga Izraeli.

Ish kryetarja e Komisionit për pengimin e korrupsionit Sllagjana Taseva thekson për Portalb, se përgjimet e fundit lanë të kuptojmë që funksionarët kanë qenë të përfshirë edhe në një skandal lidhur me korrupsionin.

“Ajo që kuptuam nga përgjimet e publikuara së fundi është që është marrë provizion për pajisje për MPB-në nëpërmjet xhirollogarive private në ato të personave fizik, nëpërmjet të cilëve u bë transferim, mirëpo këto lëvizje nuk janë ligjore në Maqedoni. Andaj mund të them se bëhet fjalë për korrupsion, sepse normal që për shitje secili vendos provizion, por këtu u pa se është keqpërdorur funksioni dhe janë kryer punë jo të ligjshme të cilat duhet të sanksionohen”, tha për Portalb, Taseva.

Ish kryetari i OJQ kundër korrupsionit “Transparencë Maqedoni” Sasho Ordanovski bën të ditur për Portalb, se dita ditës po zbulohen skandale më të mëdha lidhur me krimin dhe korrupsionin e funksionarëve të lartë, gjë që po krijon një situatë absurde në Maqedoni.

“Skandalet që po publikohen nëpërmjet përgjimeve janë duke kuar e duke u bërë më skandaloze. Me të vërtetë nuk mund të them se cila është më skandaloze se tjetra. Po dëshmohet puna antiligjore e funksionarëve të lartë dhe duke pasur parasysh që bëhet fjalë për krim dhe korrupsion, gjithashtu mund të them se janë thyer po ashtu të gjitha kodekset etike, funksionarët kanë lënë anash etikën dhe ligjin”, tha për Portalb, Ordanovski.

Ai shtoi se ende më skandaloze është verifikimi i fakteve dhe vërtetimi i përgjimeve, se nga kush do të hetohet, nga gjykatat e korruptuara dhe politizuara?

“Por shtrohet pyetja se kush do ta udhëheq hetimin për përgjimet, gjyqësia e cila po vërtetohet dita ditës që është krye këmbë e manipuluar dhe e drejtuar nga pushteti? Kjo gjykatë do të hetojë Mijallkovin, ku vetë ministrja e brendshme është e përfshirë dhe shumë e shumë gjykatës? Jo, kjo është një situatë absurde e cila mund të zgjidhet vetëm nëse funksionarët e përfshirë në këto skandale japin dorëheqje. Jemi të shokuar nga kjo që po dëgjojmë. Nuk e di se si do të zgjidhet ky problem, kur gjyqësori u vërtetua se është nën kthetrat partiake”, tha Ordanoski.

Nga aspekti juridik, juristi Naser Zyberi thotë për Portalb, se përgjime po dëshmojnë çdo ditë e më shumë politizimin e gjykatave si dhe vendosjen e tyre nën kthetrat e partive politike në pushtet.

“Sa i përket aspektit juridik, edhe një herë shpaloset informacioni për politizimin dhe kontrollin e gjyqësorit. Ashtu si në përgjimet e publikuara ë parë ashtu edhe tani po vërtetohet humbja e kredibilitetit të gjyqësorit për marrjen e vendimeve të lira dhe jo të ndikuara nga partitë në pushtet. Përgjimet po vërtetojnë atë që në mënyrë permanente kemi dëgjuar nga raportet e huaja, që nuk kemi gjykatë të pavarur dhe se në të shumtën e rasteve vendimet janë selektive dhe të politizuara”, tha për Portalb Naser Zyberi. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button