Icardi: Unë, “macja e zezë” e Juves

Mauro Icardi nuk ka ndonjë shifër të jashtëzakonshme golash në Serie A, por kur bëhet fjalë për Juventusin, duket se ia ka marrë dorën. Sulmuesi që shënoi golin e Interit në ndeshjen e djeshme, e kishte për herë të katërt që i ndëshkonte bardhezinjtë, në tri sfidat e fundit.

“Unë, macja e zezë e Juventusit? Epo, katër gola në tri ndeshje nuk është një statistikë e keqe, apo jo” tha ia duke buzëqeshur.

“U futa në fushë për të dhënë maksimumin dhe për të ndihmuar ekipin. Për rolin që kam në fushë, sigurisht që synimi është të shënoj, por thjesht doja të merrja një rezultat pozitiv mbi të gjitha. Rastisi që shënova dhe kjo është akoma më mirë”, shtoi futbollisti zikaltër.

Ai është shprehur gjithashtu se në sulm ndihet shkëlqyeshëm me Palacion: “Kur luaj përkrah Rodrigos është gjithnjë e lehtë. Ai të krijon hapësira, sepse është i lëvizshëm dhe i zgjuar. Mendoj se jemi vërtet një dyshe e shkëlqyer”.

Sa i përket ndeshjes, 20-vjeçari deklaron se duhet ta kishin fituar: “Për nga mënyra se si shkoi ndeshja, duhet të kishim marrë tri pikët. Kaluam të parët në avantazh dhe mund ta përdornim këtë element. Gjithsesi, nuk mund ta cilësosh asnjëherë zhgënjyes një barazim kundër Juventusit, pasi është një ekip i jashtëzakonshëm, me futbollistë të një niveli të lartë”.

Në fund, Icardi komentoi për vazhdimësinë e sezonit: “Është vetëm fillimi dhe nuk mund të bëjmë parashikime. Interi qëndron me këmbë në tokë, por sigurisht që do kërkojmë të marrim maksimumin nga çdo ndeshje që na pret. Shpresoj që fakti që nuk luajmë në Europë sivjet, të na ndihmojë më tepër në kampionat”./Albeu

Lajme të ngjashme

Back to top button