Cristiano Ronaldo rinovon deri në 2018 me Realin

Tashmë është zyrtare, Cristiano Ronaldo dhe Reali i Madridit zgjasin bashkëunimin deri në vitin 2018. Pak kohë pasi palët gjetën gjuhën e përbashkët erdhi edhe e zeza mbi të bardhë që formalizon marrëveshjen nga e cila portugezi do të përfitojë plot 17 milionë Euro në sezon. Lajmin e japin mediat spanjolle, sipas të cilave, sulmuesi do të bëhet kështu lojtari më i paguar në Primera Division, duke kaluar madje edhe Lionel Messin.

Një duel i fituar në distancë me argjentinasin, por më shumë se Ronaldo është Reali ai që fërkon duart nga kjo marrëveshje pasi shoqëria merengues rrezikonte ta humbiste luzitanin me parametra zero pasi kontrata e tij skadonte në vitin 2015 dhe shumë klube të mëdha europiane kishin nisur sulmet për ta joshur.

Kontaktet e para për rinovimin e kontratës nisën një vit më parë dhe që prej asaj kohe, marrëdhënia mes klubit dhe lojtarit është karakterizuar edhe nga momente të tensionuara. Kulmi arriti në 2 Shtator të vitit 2012 kur pas takimit me presidenti Florentino Perez, Cristiano Ronaldo u shpreh se ndihej i trishtuar.

Pak javë më vonë, agjenti Jorge Mendez deklaroi publikisht se kreu i shoqërisë ishte në dijeni të rrugës që duhej të ndiqte për të kënaqur portugezin. Ky moment shërbeu edhe si pikë kthese pasi në daljet e tij zyrtare, Perez e ka konsideruar Cristiano Ronaldon si lojtarin më të mirë në botë, madje shpesh herë ai e ka pranuar madje se sulmuesi do ta mbyllë karrierën në “Santiago Bernabeu”.

Lajme të ngjashme

Back to top button