NUK JEMI ENGJËJ

Kur të rriteni miqtë e mi të vegjël mbase do t’i lexoni këto vargje pendestari të një bishe gënjeshtare, e cila në një ditë të zakonshme gjeti fëmijën brenda vetes dhe foli si njeri teksa bisha përgjumej.

“Nuk jemi engjëj miq të vegjël, jemi bisha të egra, që ushqehemi me ardhmërinë tuaj.

Jemi tinëzarë që mbjellim jetën tonë, gatuar prej mashtrimesh, në kopshtet ku duhet të çelin lulet e ëndrrave tuaja.

Ne u gënjejmë miq të vegjël e ju na besoni, sepse s`doni ta mësoni artin e mashtrimit…

Doni të jeni njerëz, s`doni të bëheni engjëj të rënë prej qielli.

Shtiremi o miq të vegjël se ua tregojmë udhën.

Ajo është udha jonë e nuk është udha juaj.

Ne duam t’ua mësojmë një këngë.

Po ajo është kënga jonë e nuk është kënga juaj.

Ne duam t’ua zgjojmë një ëndërr.

Po ajo është ëndrra jonë e nuk është ëndrra juaj.

Ne duam t’u bëjmë si ne.

Po ne jemi bisha dhe ju jeni njerëz.

Ujq ushqejmë brenda qenies, që ditën maskohn si njerëz.

Ju jeni të pafajshëm prandaj na besoni, teksa u flasim për të mirat që ju presin…

Miqtë e mi të vegjël, mbase do të vijë dita e do më mallkoni.

Do të rriteni e bashkë me ju do të rritet bisha, prandaj s’do të besoni në vargje pendestari…

Një bishë brenda jush e kemi ushqyer dhe e ushqejmë çdo ditë.

Mbase do të udhëtoni nëpër udhën tonë dhe do të besoni se kjo është udha Juaj.

Do ta këndoni këngën tonë dhe do besoni se është kënga Juaj.

Do të ëndërroni me ëndrrat tona dhe do t’i mbillni në kopshtet ku duhet të çelin ëndrrat e atyre që vijnë pas Jush”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button