Dita e mirë duket nga mëngjesi, hani me kujdes

Mëngjesi i mirë është përgjegjës për aftësi dhe energji të mira gjatë gjithë ditës, zgjidhjen më të mirë të problemeve, kujtesën dhe aftësitë më të mira verbale – dhe këto janë vetëm disa nga përparësitë e vaktit të parë të rregullt në ditë.

Pesë këshilla të shkurtra, me të cilat do të marrësh maksimumin nga mëngjesi dhe do të fillosh ditën në mënyrën më të mirë të mundshme. Rezultatet vijnë nga disa studime të kryera në Amerikë.

Ha më ngadalë: Aftësitë verbale dhe aftësitë e zgjidhjes së problemeve rriten për rreth 35 për qind te personat që hanë më ngadalë dhe e ndajnë vaktin në pjesë më të vogla. Në këtë mënyrë truri, për një kohë më të gjatë mbetet i furnizuar me energjinë e nevojshme.

Frutat arrore janë ideale: Nëse çdo mëngjes ha një grusht me arra, që janë të pasura me polifenole, kujtesa do të jetë rreth 19 për qind më e mirë. Polifenolet reduktojnë nivelin e stresit oksidativ, çka ndihmon komunikimin mes neuroneve në tru.

Pak kafeinë: Vetëm 20 deri 30 miligramë kafeinë ka efekt nxitës në tru, pavarësisht se sa është personi i zgjuar ose i lodhur. Bëhet fjalë për një sasi 100 mg më e ulët se sa përmban filxhani mesatar i kafes. Dozat më të mëdha të kafeinës nuk kanë pasur ndikim të madh në aktivitetin e trurit. Prandaj, provo të marrësh një copë çokollate të zezë në mëngjes. Ndikon pozitivisht në qarkullim dhe në nivelin e kolesterinës dhe mund të të ndihmojë në humbjen e peshës.

Fuqia e proteinave: Mëngjesi duhet të jetë i pasur me proteina (për shembull vezë). Ato i japin trurit 20 për qind nxitje më të madhe, në krahasim me mëngjesin e mbushur me sheqer ose, më keq, lënien e mëngjesit. Proteinat, në dallim nga sheqeri, i ofrojnë trurit burim konstant energjie.

Zgjoje trurin me shëtitje: Vetëm 20 minuta shëtitje përmirëson “fleksibilitetin konjitiv” – aftësinë e trurit për të krijuar një varg idesh dhe përgjigje në problemin e caktuar, madje deri në 16 për qind, ka vërtetuar një hulumtim i Universitetit të Illinois-it. Truri mund të reagojë në atë mënyrë, sepse ka ardhur deri te qarkullimi i përmirësuar i gjakut dhe niveli i rritur i neurotransmetuesit të dopaminës.

Lajme të ngjashme

Back to top button