Arrestimi i shefit të Interpolit, jep dorëheqjen kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi

Jep dorëheqjen kreu i Policisë së Shtetit Artan Didi. Ai ka bërë një mbledhje me vartësit e tij, ku dhe u ka komunikuar  dorëheqje e tij të parevokueshme. Mbledhja është bërë me dyer të mbyllura.

Dyshohet se largimi i tij nga kreu i Policisë së Shtetit është bërë në lidhje me çështjen e deputetit Mark Frroku, ku autoritetet belge kërkon arrestimin e tij, por kreu i Interpol Tirana nuk ka vepruar.

Sot Partia Demokratike  akuzoi palën shqiptare në lidhje me mosveprimin për arrestimin e Mark Frrokut. Sipas PD-së, autoritetet belge dërguan kërkesën me 8 janar të këtij viti për kapjen e deputetit të mazhorancës, por arrestimi nuk ndodhi. Si pasojë e kësaj  Belgjika dërgoi material shtesë dhe ripërsëriti kërkesën me 23 janar.

Dje u arrestua kreu i Interpol Tirana, Artan Bajraktari dhe paraardhësja e tij, Loreta Alla sepse mbajtën të fshehtë informacionin në lidhje me aktivitetin ilegal të Mark Frrokut në Belgjikë shumë vite më parë. Ndaj tyre rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës.

Didi: Ika për shkak të gabimit të Interpolit

Në dorëheqjen zyrtare që Artan Didi i ka dërguar Kryeministrit Rama dhe ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, jepen edhe arsyet e dorëheqjes së tij. Ai thotë se shkelja penale që kreu shefi i Interpolit, Artan Bajraktari dhe Loreta Alla, detyruan që shefi i Policisë së Shtetit të largohet.

“Modelin e punës që u mundova të fus në institucion  po e shoqëroj me modelin e dorëheqjes, kur diçka nuk ecën sipas pritshmërisë që ti ke dhe të asaj pritshmërie që të tjerët kanë për punën e institucionit që t’i drejton. Shkelja e procedurave ligjore të specialistit të Interpolit dhe të shefit të këtij sektori, shkelje që i vuri ata përpara përgjegjësisë penale, cenoi në një farë mënyrë imazhin e Drejtorisë së Përgjithshme, ndonëse ishte po ky institucion që e korrigjoi gabimin.

Për këtë arsye duke vlerësuar këtë ngjarje si të papranueshme për prestigjin e institucionin e Policisë së Shtetit, të cilin unë e drejtoj duke vlerësuar që unë nuk pata kapacitetin e mjaftueshëm për të parandaluar një fakt të tillë, vendosa që të jap dorëheqjen e parevokueshme nga funksioni i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Punonjësit e ndershëm të policisë të më gjykojnë për këtë vendim!”, thuhet në shkresën zyrtare që Didi i ka dërguar Kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm. Saimir Tahiri.

Lajme të ngjashme

Back to top button