Rapsodia e Lumanit, kënaqësi shpirti për tetovarët

Filarmonia e Maqedonisë mbrëmë kënaqi veshët e dashamirëve të muzikës klasike në Tetovë. Nën udhëheqjen e dirigjentit Borjan Canev, tingujt e këndshëm të Prokopief, Rosini si dhe veprës së shqiptarit të vetëm në programin e Filarmonisë, Fatos Lumani, lanë mbresa të mira te publiku tetovar.

“Është hera e parë që luhet brenda një sezoni të Filarmonisë një vepër nga një kompozitor shqiptar. Madje nga pavarësimi i Maqedonisë, kjo Filarmoni në programin e saj nuk ka pasur asnjëherë vepra nga shqiptarët. Dhe ata pak që kanë qenë janë luajtur jashtë programit në kuadër të ndonjë festivalit. Jam shumë i kënaqur me veprën dhe ishte një interpretim shumë dinjitoz, më pëlqeu mënyra e re si e kanë interpretuar sonte” tha për Portalb, kompozitori nga Struga, Fatos Lumani.

Për më tepër, ai theksoi se të jesh shqiptar në programin e Filarmonisë në kohën kur ata diskriminohen është vërtetë një sukses i madh.

“Dua të theksoj se shumë pak investohet në kulturën shqiptare, madje degradohemi deri në atë shkallë sa që themi se nuk dihet se a ekziston kompozitori shqiptar në Maqedoni” tha mes tjerash Lumani.

Vepra e tij është “Koncert Rapsodi”, e shkruar për orkestër harqesh, violinë dhe piano, e bazuar në motive muzikore folklorike shqiptare. Premiera botërore e kësaj vepre ka qenë në vitin 2004, e interpretuar në Tiranë nga Orkestra e Akademisë së Arteve të Tiranës.

Portalb bisedoi me dirigjentin Canev, të cilit si duket, i kishte pëlqyer shumë atmosfera e mbrëmshme në Pallatin për Kulturë.

“Është hera e parë që jam në Tetovë, u befasova këndshëm nga publiku i cili në mënyrë subtile e pranoi programin tonë dhe posaçërisht autorët që zgjodhëm, Prokopief dhe Lumanin. Kishte një akustikë të mirë dhe u ndjeva shumë mirë” tha për Portalb, dirigjenti Canev.

Ai gjithashtu vuri në spikamë faktin se ka shumë nevojë për investime në sferën e kulturës.
 “Kultura muzikore në Maqedoni githnjë ka nevojë për investime. Në çdo sallë ku kemi qenë kemi parë që kanë nevojë për rinovime, ka nevojë dhe për kuadër” deklaroi Canev. 

Tetova sërish mirëpret koncerte të tilla, për ta shkundur sadopak pluhurin mbi jetën kulturore që pamëshirshëm e ka mbuluar qytetin e dy Universiteteve. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button