Ëndrra e Shqipërisë dhe mundësitë për kualifikim

Tashmë situata në grup ka ndryshuar dhe llogaritë e pikëve janë shpresëdhënëse. Shqipëria ka bërë hapin e madh. Fitorja magjike ndaj Armenisë i hap rrugën kombëtares shqiptare drejt realizimit të ëndrrës së madhe, kualifikimit në kampionatin evropian Francë 2016, shkruan Gazeta Ekspress.

Një përmbysje e mrekullueshme me të gjithë përbërësit e një skuadre të madhe, karakter, zemër, forcë dhe besim për të mos u dorëzuar kurrë, e gjitha e arritur në një atmosferë të mrekullueshme me tifozët Kuq e Zi që u bë mushkëria e kombëtares në Elbasan Arena.

Shqipëria pozicionohet në vendin e tretë në grup, me 7 pikë, po aq sa Danimarka e vendit të dytë, ndërsa Portugalia pas fitores ndaj Serbisë qëndron në krye me 9 pikë. Për Serbinë dhe Armeninë praktikisht gjithçka ka përfunduar pasi renditen të fundit me vetëm një pikë.

Shqipëria vijon rrugën e saj në krahët e ëndrrës me 4 ndeshjet e radhës. Tashmë të paktën vendi i tretë që siguron play-offin është mese i mundshëm e madje ekzistojnë dhe shanset reale që Shqipëria të sigurojë një biletë për në Francë edhe duke u kualifikuar se skuadra e tretë më e mirë e të gjitha grupeve, ndërkohë që mund të synojë me këmbë në tokë vendin e dytë.

Kuqezinjtë e De Biasit do të zbresin sërish në fushë në 4 shtator, kur do të përballen në Kopenhagen me Danimarkën, në një sfidë që në situatën aktuale ngjason pikërisht si një play-off për vendin e dytë, por përpara atij takimi do të luhet një ndeshje tjetër e rëndësisë maksimale.

Një betejë që ndryshe nga të tjerat nuk do të luhet me zemër e grinte, por me mendje te kthjellët e fakte.

Në datën 17 prill, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë do të japë verdiktin e saj përfundimtar në lidhje me ndeshjen e ndërprerë në Beograd me Serbinë.

Në Lozanë, Shqipëria kërkon 3 pikët dhe drejtësinë që mungoi nga organet e UEFA-s dhe duke u bazuar te faktet edhe në këtë aspekt fitorja është shumë më tepër se një hipotezë.

Lajme të ngjashme

Back to top button