11 duelet që vendosin sfidën Inter-Juve

Janë luajtur 94 takime mes dy ekipeve në Milano, ku zikaltrit janë dukshëm në avanatazh me 43 fitore, 29 barazime dhe 22 fitore për kampionët e Italisë.

Por do të jetë edhe një sfidë brenda sfide mes dy trajnerëve: Walter Mazzarri dhe Antonio Conte.

Ja duelet që vendosin derbin ….

Handanoviç vs Buffon: I vetmi duel në distancë do të jetë ai mes dy portierëve, dhe çfarë portierësh… Samir Handanoviç dhe Gigi Buffon janë aktualisht më të mirët në Serie A, por pa dyshim edhe në 10-shen e parë në botë. Por, nëse juventini mbulohet me elozhe prej 20 vitesh, slloveni i zikaltërve është një tjetër “mostër” që po lind. Mjafton të mendosh që në 3 daljet e para në këtë sezon me Interin (Citadella, Genoa dhe Catania) nuk ka pësuar asnjë gol, por akoma më shumë mjafton të kujtosh pritjet e frikshme me të cilat ndali Shqipërinë, për të kuptuar zotësinë e tij.

Campagnaro vs Asamoah: Mbrojtësi i Interit do ketë detyrën më të vështirë. Sepse me juventinin Asamoah, që luan shumë i avancuar dhe që kërkon shpesh kombinimin nga afër me Tevezin, Campagnaro rrezikon të gjendet shpesh në disavantazh numerik ndaj kundërshtarit. Prandaj, duke njohur stilin e lojës së Juventusit me lojtarët e krahëve, që shpesh kryqëzohen me sulmuesit, interisti do ndihmohet edhe nga Jonathan, i cili kundrejt ndeshjeve me Genoan e Catanian nuk do të jetë shumë i avancuar, por edhe nga Ranocchia, që duhet të mbështesë në çdo rast dy shokët e repartit që luajnë përkrah tij

Ranocchia vs Tevez: Andrea Ranocchia pritet të jetë hija e Carlos Tevezit pasditen e sotme. Mbrojtësi zikaltër gjithsesi do ta ketë shumë të vështirë që të limitojë rrezikshmërinë e argjentinasit të Juventusit, duke qenë se ai nuk luan kurrë në thellësi, madje mund të kthehet deri në mesfushë për të marrë topin, ndaj Ranocchia duhet të bëjë kujdes me pozicionin. Por, duke menduar që përkrah Tevezit do luajë Vuçiniçi, një tjetër sulmues shumë teknik dhe i shpejtë me topin, atëherë detyra bëhet dyfish e vështirë, me dy juventinët që mund të ndërrojnë shpesh me njëri-tjetrin edhe pozicionet në fushën e lojës.

Juan Jesus vs Vuçiniç: Nëse vitet e fundit Interi ka pasur një hallkë të dobët në ndeshjet kundër Juventusit, ai ka qenë pikërisht mbrojtësi i ri brazilian. Eksperienca e pakët dhe fakti që ai vuan shumë depërtimet nga krahët, sidomos kur vijnë pasime të gjata e të larta nga mesfusha, me një palexhator si Vuçiniçi 90 minutëshi do jetë shumë i vështirë. Por Jesus kundrejt juventinit mund të besojë te fiziku i tij i fuqishëm në duelet një për një, ndonëse duke bërë kujdes, pasi me goditës si Pirlo e Pogba goditjet e dënimit rreth zonës së rreptësisë mund t’i hapin shumë punë Handanoviçit.

Guarin vs Vidal: Mbase ky do të jetë edhe dueli me ekzaltues i mbrëmjes së sotme. Që të dy të fuqishëm, agresivë dhe nuhatës të aksioneve sulmuese e zonës së rreptësisë, do të bëjë që Guarin dhe Vidal të ofrojnë spektakël. Guarin kundrejt Vidalit duket disi në disavantazh, duke qenë se potenciali i tij duhet të ndahet edhe me shokët e skuadrës, për të mirën e ekipit, sepse fundja mesfusha zikaltër nuk ka luksin e asaj bardhezi. Prandaj, ky fakt mund ta zbehë disi paraqitjen e Guarinit, ndonëse kolumbiani me karakterin e tij nuk dorëzohet lehtë dhe do tentojë t’ia nxijë jetën liderit të Juves.

Taider vs Pogba: Algjeriani Taider ka spostuar në pankinë talentin Kovaçiç dhe duke qenë se 90 minutat e sotme do e vënë përballë një force të natyrës si Pol Pogba, tani kuptohet më qartë zgjedhja e Maxarrit. Taider është më potent se Kovaçiç, ndaj përballë një si Pogbaja, që përveçse në fazën mbrojtëse projektohet bindshëm edhe në sulm, nuk duhet të kursehet, por ndonjëherë të lëshojë edhe ndonjë ndërhyrje brenda limiteve të kartonit për ta ndaluar, sepse përndryshe mbrojtja e Interit nuk do dijë më nga të ruhet, me Tevezin, Vuçiniçin, Azamoahn, Pogbanë dhe Vidalin që presin në zonën e tyre.

Cambiasso vs Lichtsteiner: Edhe pse mund të duket sikur do të jenë larg njëri-tjetrit në fushë, me Cambiasson përpara mbrojtjes dhe Lichtsteinerin të projektuar shumë djathtas në fushë, një përplasje e tillë në sfidat e viteve të kaluara ka qenë nga më të shumtat që është ofruar në fushë. Fundja, argjentinasi do të luajë më shumë rolin e një mbrojtësi të fshehur sesa atë të dirigjentit të mesfushës. Duke ditur pastaj që Lichtsteiner më shumë sesa Azamoah nga e djathta zbret shpesh në zonë, për t’u shndërruar në një sulmues të fshehur, detyra për t’i lehtësuar punën Huan Hezusit do t’i takojë veteranit të Interit.

Alvarez vs Pirlo: Nëse në sezonin e kaluar Andrea Stramaccioni dhe Interi i tij fituan në Torino, “çelësi” i suksesit ishte bllokimi i Pirlos me një lojtar të shpejtë dhe teknik. Nëse vjet ai që e zeroi rrezikshmërinë e Pirlos nga fusha ishte Palacio, që sivjet luan rolin e bomberit të vetëm, duke zëvendësuar Militon, detyra për të ndjekur Pirlon në çdo cep të fushës do t’i takojë Alvarezit. Ky i fundit ka shfaqur një formë fizike të shkëlqyer në këto ndeshje dhe duke vlerësuar se Pirlo, tashmë 34- vjeçar, nuk ka frymën e interistit, Alvarez mund të ngushtojë horizontin e lojës së juventinit.

Jonathan vs Chiellini: Jonathan është një tjetër lojtar që nën drejtimin e Maxarrit ka rilindur, duke kujtuar Maikonin e kohëve të arta. Dhe nëse ish-braziliani i Interit në periudhën e Murinjos bënte të vuante në maksimum një mal me muskuj si Chiellini, duke e djegur shpesh në shpejtësi, nga krahët dhe gjatë depërtimeve në zonë, pak a shumë të njëjtën gjë duhet të bëjë sot edhe Jonathan. Ndonëse nuk mund të përballet fizikisht me juventinin, mbrojtësit të avancuar të zikaltërve do i mjaftojë të lëshojë topin disa metra përpara dhe do të nxirrte kështu jashtë loje numrin 3 të kampionëve të Italisë.

Nagatomo vs Barzagli: Ashtu si Jonathan, edhe Nagatomo do të ketë të njëjtat detyra. Ndonëse të dy mbrojtës, japonezi është më i aftë teknikisht sesa Andrea Barzagli me topin, aq më shumë që gjigandi i mbrojtjes së Juventusit nuk është në formën e vet më të mirë. Prandaj, duke shfrytëzuar shpejtësinë dhe driblimin, Interi mund t’u bëjë realisht keq torinezëve nga krahët, ndonëse pa mbështetjen e duhur do të jetë e vështirë që gjithçka të duket kaq e lehtë. Një tjetër pikë në favor të Interit lidhet me faktin se vjet Barzagli ka luajtur dy ndeshjet e tij më të dobëta pikërisht ndaj zikaltërve.

Palacio vs Bonucci: Kundër Lazios, Bonucci u shpall njeriu i ndeshjes, me dy pasime prej më shumë se 50 metrash që dërguan në gol Vidalin dhe Vuçiniçin. Prandaj, nëse Pirlo do shqetësohet nga Alvarez, do i takojë Bonuccit që të nisë me pasimet e tij aksionet e gjata, ndaj më shumë sesa të sulmojë, detyra kryesore e sulmuesit të vetëm zikaltër, Palacio, do jetë të sulmojë lojtarin që Mazzarri i ka piketuar për të markuar. Për më tepër, Bonucci shpeshherë e ekzagjeron edhe me mbajtjen e topit, prandaj nëse Palacio do përfitojë nga një gabim i tiji, atëherë shanset për gol do jenë shumë më të mëdha./ Albeu

Lajme të ngjashme

Back to top button