Programi bërthamor i Iranit, negociata në Zvicër

Orët e mbetura nga skadimi i afatit për një marrëveshje bërthamore me Iranin do të shfrytëzohen maksimalisht në Lozanë të Zvicrës në përpjekje të intensifikuara diplomatike për të mos e lënë këtë mundësi të humbasë, transmeton TCH.

Deri tani, janë hedhur hapa të rëndësishëm përpara drejt një ujdie me Republikën Islamike për kufizimin e zhvillimit të programit të saj bërthamor. Megjithatë, një marrëveshje përfundimtare ende nuk ka. Diplomatët pohojnë se Teherani ka shfaqur vullnetin të pakësojë numrin e centrifugave bërthamore në më pak se 6 mijë dhe të dërgojë pjesën më të madhe të rezervave të uraniumit të pasuruar në Rusi për magazinim.

Nga ana tjetër, fuqitë botërore që po negociojnë me të (Britania, Kina, Franca, Rusia, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës) janë duke shqyrtuar mundësinë që regjimit të ajatollahëve t’i lejohen provat bërthamore për qëllime mjekësore në një kompleks nëntokë. Kufizimet mbi veprimtarinë bërthamore të këtij vendi mund të zgjasin e pakta një dekadë e përfshijnë edhe inspektime të rrepta të ndërkombëtarëve.

Negociatorët janë sot më pranë se kurrë arritjes së një zgjidhjeje të ngërçit 12-vjeçar mbi programin nuklear të Iranit. E megjithatë, ujdi ende nuk ka dhe askush nuk mund ta thotë me siguri të plotë nëse do të ketë një pajtim të palëve përpara skadimit të afatit të ditës së martë. Ekzistojnë akoma mosmarrëveshje të pasheshuara mbi kohëzgjatjen e kufizimeve ndaj Republikës Islamike dhe shpejtësinë e heqjes së sanksioneve.

Deri nesër, ministri i Jashtëm iranian, Javad Zarif, dhe përfaqësuesit e tjerë duhet të bien dakord mbi një kornizë politike e cila t’i hapë rrugën bisedimeve të karakterit teknik. Nga të dyja palët, në tryezën e negociatave pretendohen vendime të vështira, por të gjithë thonë nga ana tjetër se janë atje me shpresën që të arrijnë një marrëveshje e të çelin kështu një kapitull të ri të historisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button