Shqiptarët shpenzuan 465 mln euro për pushime jashtë

Rreth 465 milionë euro kanë dalë nga Shqipëri në gjashtë muajt e parë të vitit. Dalja e parave është justifikuar si shpenzime për udhëtime, megjithëse totali i udhëtimeve është ulur në krahasim me një vit më parë. Nga ana tjetër shuma e dalë jashtë vendit është rritur me rreth 10%. Të huajt që kanë ardhur në Shqipëri kanë shpenzuar më pak dhe balanca neto është minus 63 milionë euro për periudhën janarqershor 2013.

Shifrat janë bërë publike në bilancin e pagesave të Bankës së Shqipërisë. Sipas raportit zëri i shpenzimeve të udhëtimeve, që kryesisht janë paratë që shqiptarët shpenzojnë në udhëtimet e tyre jashtë ishte 465 milionë euro, me një rritje prej rreth 44 milionë euro, apo 10%, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Bilanci neto (hyrje-dalje) për 6 mujorin rezultoi negativ, me shifrën prej 63 milionë euro, që është më e larta që nga viti 2004, kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat. Gjithashtu në raport janë analizuar edhe shkëmbimet tregtare mes vendeve të rajonit.

Sipas Bankës së Shqipërisë ekonomia e Eurozonës në tremujorin e fundit të vitit 2012 vijoi të tkurret. Buletini i fundit i Eurostat-it tregoi se ajo ishte tkurrur me 0.6% nga tremujori paraardhës dhe 0.9% nga viti i kaluar. Ekonomia e zonës euro vazhdon të ndikohet nga ecuria negative e konsumit dhe e investimeve, ndërkohë që në këtë periudhë këtyre faktorëve u është shtuar edhe ngadalësimi i eksporteve neto.

Treguesit paraprakë dhe të tërthortë deri në muajin shkurt (prodhimi industrial, shitjet me pakicë dhe treguesi i ndërtimit), konfirmojnë vijimin e ngadalësimit edhe në pjesën e parë të këtij viti. Gjithsesi, në horizontin afatmesëm, rimëkëmbja e ekonomisë së Eurozonës pritet të ndikohet pozitivisht nga ripërtëritja e eksporteve në kushtet kur ekonomia botërore ka shfaqur shenja gjallërimi./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button