fbpx

Emërimi i ambasadorëve shqiptar ende nuk gjen bekimin e presidentit Ivanov

Emërimi i ambasadorëve shqiptar ende nuk gjen bekimine  presidentit Ivanov. Vendet e mbetura vakante në përfaqësitë diplomatike në Doha, Bern, Sarajev, Gjenev dhe në Varshavë dhe që u takojnë shqiptarëve të jenë ambasador në këto vende, tani më për një kohë të gjatë nuk marrin nënshkrimin e presidentit Gjorgje Ivanov, shkruan gazeta Koha.

Në kabinetin e presidentit Ivanov askush nuk mund të thotë saktësisht se kur do të firmosen emrat e ambasadorëve shqiptarë. Në BDI zotohen se po punohet në rritjen e përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve në përfaqësi diplomatike, njëjtë sikurse po punohet për përfaqësim të drejtë edhe në vet Ministrinë e Punëve të Jashtme, ndërkohë që përfaqësimi i shqiptarëve në përfaqësitë diplomatike është nën çdo nivel.

Aktualisht, nga gjithsej 56 përfaqësi diplomatike (40 ambasada, 7 misione, 7 konsullata të përgjithshme dhe dy përfaqësi konsullore), vetëm shtatë udhëheqës janë shqiptarë. Ambasadori Agron Buxhaku në Paris, Asaf Ademi në Hagë, Llazar Elenovski në Bruksel, Naim Mehmeti në Danimarkë, Enver Abdullahu në Norvegji, Zerin Abazi konsull i gjeneral në Stamboll dhe Jakup Rexhepi konsull gjeneral në Çikago janë emrat e shqiptarëve që, me propozim të Bashkimit Demokratik për Integrim, udhëheqin me përfaqësi diplomatike.

Veç kësaj, shqiptarët nuk përfaqësohen edhe në shërbimet konsullore në ambasadat e Maqedonisë në Evropë. Ambasadat e Maqedonisë në Vjenë, Berlin, Romë… nuk kanë shqiptarë, derisa  shqiptarët nuk udhëheqin as përfaqësitë në misionet ndërkombëtare në vende të ndryshme si OSBE, Bashkimin Evropian,  NATO-n, Këshillin e Evropës, OKB-në në Nju Jork dhe atë në Gjenevë dhe  FAO-n në Romë. Ndryshe, për në ambasadën e Bernit, Ekrem Ebibi tashmë ka kaluar të gjitha filtrat e nevojshme, përveç nënshkrimit të presidentit Ivanov. Në Qeveri, gati një vit më parë ka kaluar edhe emri i Shaban Jasharit për ambasador në Doha të Katarit, derisa në Gjenevë përflitet Teuta Demjaha. Në Sarajevë, Fuad Hasanoviq, ish-ambasadori në Doha nuk do të mund të shkojë në Sarajevë, pasi Ministria e Punëve të Jashtme ka refuzuar emrin e tij për shkak të disa skandaleve që përflitet t’i ketë bërë Hasanoviq derisa ishte ambasador në Katar. Për në Poloni, ambasadë kjo që i takon BDI-së, kjo e fundit akoma nuk ka caktuar një emër.

Lajme të ngjashme

Back to top button