Kongres për progres apo për regres

Mbase mund të jetë herët që sot, në ditën e përfundimit të kongresit tematik të BDI-së të sillet ndonjë gjykim si përfundim për atë nëse ky kongres është progres apo regres për politikën e këtij organizimi politik, por është një ngjarje politike që meriton vëmendje. Sidomos pasi ky momenti i mbajtjes së këtij kongresi u përputh në kohë dhe vend me disa momente tjera, në dritën e të cilëve duhet analizuar.

Momenti i parë është momenti brendapartiak i këtij subjekti ku ndonëse kongresi u kufizua me karakterin tematik sërish ai nxori në pah disa probleme të funksionimit partiak. Kjo shkaku se zgjedhjet partiake në dy degë të rëndësishme ende nuk kanë mbaruar, si në Strugë dhe Kumanovë. Kështu që çdo mbajtje e ndonjë organizimi partiak nxjerr në pah këtë problem për anëtarët dhe strukturën, qoftë ky i kufizuar edhe me prapashtesën: tematik.

Njashtu disa nga fjalimet e mbajtura aty nga disa deputetë dhe kryetarë komunash nxjerrin në pah edhe një disbalans mes funksionarëve dhe politikanëve brenda partisë. Aq sa ky disbalans në opinion mund të perceptohet edhe si përçarje mes BDI-së dhe DUI-t, duke u cilësuar me akronimin e fundit nga gjuha maqedone afërsia ose kapja nga ana e partnerit qeveritar DPMNE, apo edhe vetëm nga kushërinjtë Gruevski-Mijallkov. “Aj shoqi që nuk është në qeveri”, e që emrin nuk ia përmendin dot.

Momenti i dytë i pavolitshëm është se u përputh me krizën e thellë politike të vendit kur ky organizim politik është në një qeveri e cila dita-ditës, më shumë e më shumë, në saje të projektit të “bombave” opozitare, i shpaloset opinionit si jo-legjitime, zullumqare dhe ofenduese për shqiptarët. Ashtu BDI me kongresin sikur doli nga “bira e miut” të moskomentimit të zëshëm për krizën dhe nga “qorrsokaku evropian” me praninë e disa ish-diplomatëve evropian. Por, kjo dalje në fund atyre mund të u shërbejë vetëm si truk marketingu për kalim të vetëm të një periudhe kohore dhe ose arsyetim projektor. Nëse edhe ky kongres-debat llogaritet si njëra nga katër tribunat shumë të kushtueshme të cilat duhej të mbaheshin e për të cilat kishin shkruar mediet më herët se u janë akorduar shuma të mëdha parash shtetërore.

Kjo sepse nga disa fjalime të këtyre figurave evropiane bile del konkluzioni se më mirë të mbeteshin në “birë të minit” se sa dolën e iu kujtua opinionit se ku ishin dhe sa nuk ishin. Se ishin dhe janë në atë qeveri që Evropës vetëm emrin ia përmend kurse më shumë punon me Rusi. Edhe me Kinën, por me këtë të fundit jo për ndonjë vizion, vetëm për provizion, pesë përqind?! Pra, me këtë dalje mund bile t’ia kujtojnë opinionit se ishin në qeveri e nuk janë as në pesë përqindëshin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button