Cipras pret “fundin e lumtur”

Kryeministri grek, Aleksis Cipras tha të dielën se po kërkon për një “fund të lumtur” në bisedimet e vendit të tij me kreditorët europianë. I pari i qeverisë greke shpreson se bisedimet kyçe me kreditorët do të çojnë në një financim të ri.

“Kam besim se, së shpejti, do të ketë një fund të lumtur të fazës së parë të negociatave dhe për normalizimin e situatës”, tha Cipras.

Në një intervistë ditën e shtunë për “Real News”, Cipras i akuzoi vendet e Unionit (pa përmendur emra) se po përpiqen ta detyrojnë Greqinë të largohet nga eurozona, duke mos arritur në një marrëveshje për kredinë.

“Ka fuqi me interesa specifike dhe që duan daljen, por ka të tjera – të cilat do të mbizotërojnë – që kërkojnë një kompromis të sinqertë e të ndershëm”, tha ai, duke shtuar se nuk beson që “Europa demokratike do të zgjedhë daljen”.

Ekspertët e Greqisë, Bashkimit Europian, Bankës Qendrore Europiane, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Mekanizmit Evropian të Stabilitetit do të diskutojnë nesër për listën e reformave, që sipas Athinës, do t’i sigurojë shtetit grek 3 miliardë euro dhe do të rivendosë një rritje ekonomike prej 1.4 për qind në vitin 2014 në Greqi./Shekulli Online/

Lajme të ngjashme

Back to top button