KRIZA POLITIKE: Një hap deri te marrëveshja në Bruksel, ose?

Brukseli e humb durimin dhe do të insistojë për zgjidhje sa më të shpejtë të krizës politike në vend, e cila tashmë e rrezikon gjithë kursin euroatlantik të vendit, vlerësojnë analistët. Ekspertët e vendit janë të njëzërit se pa ndërmjetësim aktiv të BE-së, dhe pa marrëveshje për monitoring në një pjesë të institucioneve, veçanërisht në Prokurorinë publike, nuk ka mundësi për dalje nga qorrsokaku aktual.   

Çka do të sjellin negociatat me Brukselin? 

Brukseli nëpërmjet treshes evropiane Kukan-Vajgëll-Hovit, e filloi operacionin për ndërmjetësim në zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni. Edhe pse BE-ja kyçet si lehtësues, megjithatë duhet pritur që ajo ta humbë durimin dhe të mos tolerojë vetëm zotime deklarative për integrim euroatlantik, vlerësojnë analistët.

“Unë mendoj se Maqedonia që moti realisht është larguar nga procesi i eurointegrimeve, dhe se për këtë proces zotohet vetëm deklarativisht. BE-ja deri tani e toleronte sjelljen e këtillë të Maqedonisë, me shpresë se pushteti do të vetëdijësohet për dëmin nga ky largim dhe se përsëri, me vepra konkrete, e jo vetëm me fjalë, do ta dëshmojë orientimin e saj euroatlantik. Parlajmërimet që vijnë nga BE-ja për ndërprerjen e mundshme apo ngirirjen e përkohshme të dialogut politik, janë porosi se Brukseli tashmë e humb durimin, dhe se konkretisht do ta dënojë dhe do ta sanksionojë sjelljen antievropiane të pushtetit. Është me rëndësi që çdo hap që do ta ndërmarrë bashkësia ndërkombëtare to mos jetë i dëmshëm për qytetarët, por vetëm për fajtorët për situatën e krijuar”, thotë për “Portalb”-in, gazetari Isen Saliu.

Njëri nga ish-ambasadorët e Maqedonisë, profesori Nano Ruzhin, pret objektivitet nga ana e eurodeputetëve, pa marrë parasysh se cilit opcion ideologjik i përkasin, me arsyetimin se Evropa e ka shumë të qartë se si qëndrojnë punët në Maqedoni sa i përket çështjeve kyçe që kanë të bëjnë me pavarësinë e gjyqësisë dhe të mediave.

“Evropianët kanë krijuar një pasqyrë për gjithë situatë dhe pozitën e tyre për të intervenuar në vendosjen e dialogut politik me ndihmën e euro-deputetëve nga e majta dhe e djathta, e cila deri diku i ngjan propozimit të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, edhe pse ata nuk kanë mandat të tillë siç kërkon Ahmeti. Roli i tyre do të ishte vetëm ndërmjetësues-politik. Në kushte të tilla, kjo formulë mund të jetë e pranueshme për opozitën duke pasur parasysh se pavarësisht nga përkatësia partiake e euro-deputetëve, ata kanë pozita shumë të qarta sa i përket përgjimit, lirisë së mediave dhe pavarësisë së gjyqësisë. Sipas kësaj, ky vendim do të ishte në favor të opozitës, për shkak se ajë do të fitonte më së shumti nga prezenca e euro-deputetëve”, vlerëson profesori Ruzhin.

Nëse Bashkimi Evropian dëshiron të ndihmojë, do të duhet realisht këtë ta bëjë me të gjitha mekanizmat e saj, konsideron Lidija Dimova nga LSDM-ja.

“Maqedonia gjendet në një situatë të vështirë politike. Mbisundon mendimi se BE-ja realisht nuk mund të bëjë shumë që t’i afrojë palët kundërshtuese të aktorëve politikë në vend, mirëpo këtu është edhe bindja se vetëm BE-ja mund të bëjë diçka. Kjo do të thotë se BE-ja duhet të jetë e përgatitur t’i inkuadrojë të gjitha instrumentet e saj në këtë krizë. A është kjo kështu, do ta shohim së shpejti”, thotë Dimova dhe shton:

“Nuk bëhet fjalë për atë se deri kur BE-ja mund ta tolerojë këtë gjendje në Maqedoni. BE-ja nuk jeton në krizë. Të gjitha raportet e privilegjuara të partneritetit që dalin nga Marrëveshja e nënshkruar për stabilitet dhe asocim shkojnë në favor të BE-së, veçanërisht në pjesën e ekonomisë. Duhet ta kuptojmë se dëm do të ketë vetëm Maqedonia, gjegjësisht qytetarët e saj!”.

Sipas gazetarit Saliu, kriza politike nxorri në sipërfaqe një sërë problemesh, të cilat tani kthehen në fokusin e BE-së.

“Në qoftë se inçizimet që i publikon opozita janë autentike, për të cilat tashmë ka edhe shumë konfirmime nga qytetarët e përgjuar, kjo do të thotë se në Maqedoni nuk është dëmtuar vetëm funksionimi i një fushe të caktuar, por funksionimi i gjithë shtetit. Prandaj, ka nevojë që kjo krizë të kuptohet seriozisht dhe masat për tejkalimin e saj të jenë serioze. Ajo që inkurajon është fakti se te 99 për qind e qytetarëve të Maqedonisë ka disponim për kthimin sa më të shpejtë të situatës në suaza të normales, dhe nuk ka indikacione për eskalime të mundshme të gjendjes së sigurisë, për shkak të krizës politike”, thotë Saliu.

Rekomandimi për negociata me BE-në – i rrezikuar… 

Javën e kaluar, pas Konferencës kushtuar Ballkanit Perëndimor, ministri për punë të jashtme, Nikolla Poposki, praktikisht e pranoi se kriza politike është kërcënim për kursin euroatlantik të Maqedonisë.

“Gjithsesi rekomandimi është rrezikuar. Maqedonia nuk do të fillojë negociata pa u pajtuar të 28 vendet anëtare të BE-së. Njëra prej tyre e ka thënë në mënyrë të qartë kushtin e saj. Mjegullimi i tillë i ardhmërisë evropiane nxit situatë konflikti, e njëkohësisht e shkatërron stimulin për luftë korrekte politike. Në mungesë të grupit të dytë më të madh në Parlament, u bëhet shërbim i madh atyre që përpiqen të hiqet rekomandimi për negociata”, deklaroi ministri Poposki.

Edhe sipas Lidija Dimovës, dialogu i para-anëtarësimit me BE-në tashmë është rrezikuar, por jo vetëm për shkak të krizës politike.

“Dialogu i nivelit të lartë për anëtarësim është i rrezikuar, mirëpo jo nga kriza aktuale, por që nga viti i kaluar. Përkujtohuni se vitin e kaluar Maqedonia nuk mbajti asnjë takim me BE-në në kuadër të këtij dialogu. Pse? Për shkak se në Maqedoni nuk ka reforma! Sa i përket statusit të vendit kandidat, deri tani asnjë vendi nuk i është marrë statusi i vendit kandidat për në BE. Mirëpo, tani, për herë të parë, BE-ja ka mekanizma që ta bëjë këtë dhe ato janë pasqyruar në Strategjinë e tyre për zgjerim”, konsideron Dimova.

Pas publikimit në disa media se BE-ja ka vendosur përkohësisht ta ngrijë dialogun për para-anëtarësim, me deklaratë doli zëdhënësja e eurokomesarit Han, e cila tha se ai vazhdon, mirëpo se nuk ka plan për takim të diplomatit evropian me kryeministrin maqedonas.

“Dialogu për para-anëtarësim vazhdon në nivel teknik. Tani për tani nuk ka plane për takim plenar ndërmjet eurokomesarit dhe kryeministrit”, deklaroi Maja Kocijançiq, zëdhënësja e eurokomesarit për negociata për para-anëtarësim, Johanes Han.

Para se të arrijnë lehtësuesit, para do kohësh Maqedoninë e vizitoi eurokomesari për zgjerim, Johanes Han./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button