fbpx

Rrëfimi interesant | Ish-agjenti i CIA-s: Fëmijët e mi nuk e dinin se çfarë pune bëja!

Ralph W. McGehee është një veteran që punoi për CIA-n dy dekada e gjysmë. Ai u rekrutua në 1952 dhe u vendos në Azinë Juglindore në mesin e viteve 1960.
“Babi, çfarë pune bën?”, më pyeti vajza ime 13-vjeçare, Pegi, rreth gjashtë muaj pasi ne ishim zhvendosur në shtëpinë tonë në veri të Tajlandës.

Ajo kishte vëzhguar ikje-ardhjet e mia të çuditshme, shtëpinë time zyrë me kamerat, hartën, kasafortën dhe bisedat e mia me zë të ulët me vizitorët. Ajo donte të dinte se për çfarë ishte e gjitha kjo.

Mora forca, pasi e dija se pyetja do të ishte e pashmangshme, diçka që të gjithë fëmijët e bëjnë herët ose vonë. Por unë isha i tmerruar prej pyetjes.

Gruaja ime kishte thënë gjithnjë se duhej të ishim të ndershëm me fëmijët dhe se besimi i familjes sonë vinte përpara përbetimit tim të sekretit ndaj Agjencisë. Kjo renditje e qartë e prioriteteve ishte shumëfishuar në mendjen e saj kur mbërritëm në Tajlandë. Unë kisha mbërritur më shpejt në Tajlandën Veriore për të bërë rregullimet e duhura që familja të vinte me mua.

Fillimisht gjeta shtëpinë dhe e njoftova atë përmes një letre, por marrëveshja u prish dhe m’u desh t’i shkruaja për së dyti për ta lajmëruar që të mos vinte. Ajo më kishte nisur numrin e udhëtimit dhe orën e mbërritjes së saj dhe katër fëmijëve, nuk e kishte marrë letrën time të dytë dhe as unë letrën që më kishte dërguar.

Kështu iu desh të haste shumë telashe me mbërritjen e paralajmëruar në doganën vendase dhe pasi shpenzoi gjithë paratë për një natë qëndrimi në hotel, ajo iu drejtua ambasadës amerikane për ta ndihmuar të më gjente. Ndërkohë kishte siguruar një vizë dyjavore qëndrimi.

Fillimisht punonjësit e ambasadës kishin mohuar ekzistencën time, por më pas dikush e kishte informuar atë se unë ndodhesha në Veri.

Një punonjës më kontaktoi dhe ishte rastësi e mirë që isha me detyrë në Bangkok në atë ditë. Por gjërat nuk shkuan shumë mirë pas kësaj. Ditën tjetër m’u desh ta çoja atë dhe fëmijët në veri me tren, ndërsa vetë mbeta pas për një punë disaditore. Kur më në fund u bashkova me të, përshëndetja e bashkëshortes nuk ishte më e ngrohta që kisha marrë ndonjëherë. “Nëse do të na ‘paketosh’ në ndonjë vend”, tha ajo, “atëherë na ço në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Kështu, më tregoi për ditët e këqija që kishte përjetuar në hotel së bashku me fëmijët. Mushkonjat dhe hardhucat i kishin ardhur vazhdimisht vërdallë, teksa prisnin që unë të bëhesha i gjallë.

Kjo eksperiencë jo dhe aq e mirë, si dhe prioriteti që unë i dhashë agjencisë, bënë që ajo të iluzionohej me CIA-n. Ndërsa e dinte se unë kisha ende besim në të dhe se nuk mund të më bindte që ta lija, ajo po këmbëngulte që unë të mos gënjeja fëmijët për punën time.

Agjencia kishte bërë mjaftueshëm për të dhe fëmijët, më thoshte ajo vazhdimisht; ajo nuk do ta toleronte rregullin e sekretit të zinte vend përpara parimit të së vërtetës në familjen tonë.

Tani pyetja e pafajshme e Pegit ma kishte sjellë ngjarjen në mendje. Një zë i brendshëm më tha se duhet t’i mbaja punët e mia sekrete, edhe prej vajzës sime.

“Baba më vjen turp”, tha Pegi duke më parë. “Të gjithë fëmijët e tjerë e dinë se çfarë pune bëjnë baballarët e tyre. Vetëm unë nuk e di”.

E ndieja që m’i kishte ngulur sytë. Çfarë do të bëja? Nëse i thosha Pegit, do të shkelja betimin. Por sigurisht se njerëzit e thyejnë atë betim vazhdimisht. Të gjithë e dinë se informacionet sekrete ndaheshin vazhdimisht në festat e Agjencisë sikur të ishin parashikime moti. Ndonjëherë më dukej sikur vetëm unë luaja sipas rregullave aty.

Pyeta veten: do të bënte ndonjë ndryshim për misionin e Agjencisë, sikur fëmija im ta dinte se çfarë pune bëja? Pashë nga Norma dhe ramë të dy dakord njëkohësisht. Mora frymë thellë dhe i ula të dyja vajzat e mia (djemtë ishin ende të vegjël për të kuptuar).

Me të njëjtin seriozitet që i kisha folur kur i kisha këshilluar si të kalonin rrugën, të mos u flisnin të panjohurve dhe të mos merrnin çfarë nuk u takonte, i thashë: “Punoj për Agjencinë Qendrore të Inteligjencës” që mbron vendin tonë nga kushdo që mund të dojë ta dëmtojë. Nuk mund t’ua thosha më parë, sepse ishit shumë të vogla dhe nuk do të mund të mos e ndanit sekretin me shokët. Por tani e dini. Më premtoni se nuk do të flisni me të tjerë përveç meje dhe mamit për punën time?”

Asnjë nga vajzat nuk u duk e entuziazmuar për lajmin. Ata më panë dhe më thanë ‘oh’. Nuk ishte përgjigjja që kisha pritur, por mendova se ato nuk ia kishin shumë idenë se çfarë ishte dhe çfarë bënte CIA.

Vite më vonë kur po përgatitesha të shkruaja librin, i pyeta të dyja se çfarë kishin menduar kur i kisha treguar për punën time. Xhen tha se ajo ishte impresionuar dhe kishte menduar se puna duhej të ishte e vështirë dhe entuziazmuese prej udhëtimeve.

Pegi tha se ajo ndjeu inat që nuk mund t’u thoshte miqve të saj. Ajo ishte gjithashtu ishte kurioze të dinte se çfarë bëja unë saktësisht për CIA-n në Tajlandë.

I thashë se do t’ia tregoja kur të dilja në pension, një premtim që nuk e kam mbajtur, pasi kur dola në pension isha i zhgënjyer dhe i lodhur dhe nuk doja që fëmijët të merrnin këtë barrë negative.

Edhe djemtë e morën vesh më pas. Më i madhi më tha se i vinte keq që nuk mund ta thoshte këtë në mes të klasës kur të gjithë kishin treguar profesionet e baballarëve. Gruaja i kishte treguar djalit më të vogël dhe ai i ishte përgjigjur “Pra, ai mban një armë?”. /gazeta shqip/

Lajme të ngjashme

Back to top button