Kurti: Qeveria e Kosovës s’ka ideale as moral

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka drejtuar akuza të shumta ndaj Qeverisë së Kosovës, duke thënë se kjo nuk është as qeveri e popullit, as qeveri nga populli, e as qeveri për popullin. Në mbledhjen e dhjetë të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosje, Kurti e krahasoi gjendjen e sotme në Kosovë me kohën e sundimit të Serbisë.

Akuza të shumta për Qeverinë e Kosovës, por edhe për qeveritë komunale gjithandej Kosovës ka drejtuar lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Ai tha se Qeveria e Kosovës është jolegjitime, sepse ka dalë nga vota e vjedhur, është qeveri jodemokratike sepse e shkel ligjin, kushtetutën dhe vullnetin e qytetarëve, dhe nuk është qeveri e mirëqenies, por shkelëse e pasurisë së popullit.

“Qeveria e Kosovës sundon dhe nuk qeverisë. Ajo s’ka as ideale as moral, as plan e as strategji. Qeveria e Kosovës realizon interesa të ngushta vetjake, nga dita në ditë, nga java në javë, duke mos e lënë shtetin e Kosovës të jetojë e gjallërojë për të mbijetuar vetë si pushtet”, tha ai, transmeton RTK.

Kurti drejtoi akuza edhe për pushtetin lokal, duke thënë se ka kthyer një dukuri të shëmtuar nga koha e Serbisë kur mbiemri të thuhej para emrit. Ai madje e krahasoi gjendjen e sotme në Kosovë me kohën e sundimit të Serbisë.

“Sot punësim s’ka ndryshe. Duhet ta kesh mbiemrin e duhur, Grabovci, Thaçi, Veseli, sikurse edhe mbiemrat e ngjashëm gjithandej Kosovës. Gjendja në Kosovë njëmend është e mirë për nja 4-5 për qind të popullsisë, mirëpo për vetëm kaq për qind, gjendja ishte e mirë edhe në kohë të Serbisë”, tha ai.

Këto komente, Kurti i bëri në mbledhjen e dhjetë të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, në të cilën u fol edhe për përgatitjet për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. 

Lajme të ngjashme

Back to top button