Përplasen partitë e bllokut maqedonas në Strugë

Partitë maqedonase në pushtet dhe opozitë, LSDM-ja dhe VMRO DPMNE-ja janë përplasur për një vendim që ka të bëjë me dislokimin e dy Inspektorateve, atij të Arsimit si dhe të politikës sociale nga objekti, në të cilin është vendosur edhe shkolla Fillore ‘Vëllezërit Milladinov’, në Strugë.

Nga partia opozitare pyesin VMRO-në se çfarë pazare kanë bërë me kreun e Komunës për të votuar pro dislokimit të Inspektorateve.

‘Këshilltarët e VMRO-DPMNE-së ose kanë harruar si kanë votuar ose nuk kanë qenë të vetëdijshëm për atë se çfarë vendimi kanë votuar. Qytetarët e Komunës së Strugës lirisht mund të kërkojnë nga administrata e komunës të ua japin në shqyrtim dokumentet në vijim, ku është vendimi i cili ishte miratuar në Mbledhjen e Këshillit, procesverbalin se me 15 vota PËR dhe 4 KUNDËR e ato jemi ne që kemi votuar kundër këtij vendimi. Këto dokumente e konfirmojnë të vërtetën. VMRO-DPMNE nuk mund të ikë nga e vërteta’, tha Dame Llozhankoski, Këshilltar i LSDM-së, Strugë

Kurse nga ana tjetër VMRO-DPMNE-ja përmes një deklarate kërkojnë falje nga ana e LSDM-së.

‘Është gënjeshtër e madhe se këshilltarët e VMRO-DPMNE-së kanë votuar vendimin për legalizimin dhe përvetësimin e paligjshëm të ndërtesave të Shkollës fillore “Vëllezërit Milladinov”, ndërtesën e Ministrisë së Arsimit – Njësia rajonale Strugë, në të cilën janë vendosur Inspektorati i Arsimit dhe ai i Punës, si dhe Byroja për zhvillimin e arsimit, dhe gjithë kjo të regjistrohet në emër të Komunës së Strugës. As kemi votuar për një gjë të tillë, e as votimi për të njëjtin vendim është legal. Le t’i publikojnë dokumentet nga mbledhja dhe të shihet kush dhe si ka votuar’, thuhet në deklaratën e VMRO-së.

Nga Komuna e Strugë, thanë për Alsat M se në një pjesë të objektit do të vendoset Sektori i Turizmit dhe të Zhvillimit Ekonomik Lokal. Krenar Lloga – sekretar i Komunës së Strugës tha se këshilltarët e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së është dashur të veprojnë në interes të komunës dhe qytetarëve, e jo në interes të institucioneve qendrore.

Lajme të ngjashme

Back to top button