Wenger premton: Largohem, po s’fitova trofe me Ozilin

Arsene Wenger është kritikuar shumë në vitet e fundit për faktin se është kursyer në merkato dhe mbi të gjitha që nuk ka fituar trofe. Gjithsesi, trajneri francez ka deklaruar se sivjet do triumfojnë patjetër në një kompeticion të rëndësishëm, duke i dhënë fund shterpësisë 8-vjeçare.

“Kemi mjaft vite që nuk fitojmë trofe, por sivjet do ia dalim mbanë. Jam optimist dhe i bindur që skuadra që kam në dispozicion, do u dhurojë tifozëve që presin. Do të jetë sezon i suksesshëm”, u shpreh ai, i cili thekson se do largohet nëse nuk e mban premtimin “Kontrata ime përfundon në verën e vitit 2014, por tani jemi në shtator dhe nuk ka asnjë arsye për t’u nxituar. Nëse në fund të këtij edicioni Arsenali nuk do fitojë trofe, atëherë unë do largohem”.

Edhe pse u dyshua se do bënin shpenzime të mëdha në merkato sivjet, goditja erdhi pikërisht ditën e fundit, kur “topçinjtë” siguruan shërbimet e Mesut Ozilit për 50 milionë euro. Wenger tregon se si shkuan tratativat, madje pranon se u surpriza kur Reali vendosi ta shiste lojtarin.

“Unë kam tentuar të marr Ozilin në skuadër që para se ai të shkonte në Madrid. Patëm edhe kontakte direkte me njeri-tjetrin. Mendoj se fakti që e kërkova që atëherë na ka ndihmuar shumë për t’ia dalë mbanë në verën e këtij viti. Ai e dinte vlerësimin që kam për të. I telefonova sërish dhe i kërkova që të vinte tek Arsenali. Të jem i sinqertë, ka qenë një transferim i vështirë, pasi nuk premtonte koha. Gjithçka është bërë në ditën e fundit”,tregon 63- vjeçari.

“Nuk e di arsyen pse madrilenët e shitën një lojtar të tillë? Mbase për para, mbase prej ardhjes së Bejlit. Nuk e di, por u surprizova. Ai është shumë i ri në moshë dhe futbollist i madh. Jemi të lumtur që e kemi”.

Gjermani është në formë të mirë fizike, por Venger nuk ka vendosur akoma nëse do të luajë si titullar në ndeshjen e ardhshme “Nuk e di ende, por do e vendos pak orë para sfidës. Mesut nuk ka probleme fizike dhe kjo është më e rëndësishmja. Ardhja e tij ka shtuar entuziazmin në skuadër dhe, në fakt, na mungonte një lojtar me karakteristika të tilla. Të gjithë kanë më tepër besim te forca e tyre”.

Lajme të ngjashme

Back to top button