Althauzer: Nuk mund të lënë pas dore akuzat serioze nga opozita

Ambasada gjermane në Shkup dhe përfaqësitë e tjera diplomatike në vend po i ndjekin nga afër zhvillimet në Maqedoni rreth materialeve të publikuara nga opozita, ka deklaruar ambasadorja e Gjermanisë në Shkup, Christine Althauzer në një intervistë për REL, e cila do të transmetohet të dielën.

Ajo ka deklaruar se partnerët ndërkombëtarë janë të shqetësuar për shkak të brishtësisë së situatës. Ambasadorja Althauzer tha se Gjermania e mbështet nismën e komisionerit Johannes Hahn për të ndërmjetësuar në konfliktin mes opozitës dhe qeverisë dhe për të vëzhguar proceset gjyqësore rreth akuzave.

“Nga njëra anë, ne nuk mund të lënë pas dore akuzat serioze të theksuara nga opozita në përgjimet e publikuara. Përveç kësaj, të dyja palët në ndërkohë kanë ngritur akuza kundër njëri-tjetrit, kështu që gjyqësori duhet të luajë një rol shumë të rëndësishëm në këtë proces”, ka thënë Althauzer për REL.

Ajo ka përmendur vërejtjet e theksuara në raportin për përparimin e Maqedonisë nga ana e Komisionit Evropian për vitin 2014, ku është shprehur shqetësimi për ndikimin politik mbi gjyqësorin. Nëse bisedat e regjistruara janë autentike, atëherë duhet të mbështesin shqetësimet e Komisionit. Kjo  i obligon autoritetet që urgjentisht të ndërmarrin diçka për ta përmirësuar gjendjen”, ka deklaruar ajo.

Sipas ambasadores Althauzer, problemet kanë gjenezë politike prandaj duhet të zgjidhen nga forcat politike në vend.

Lajme të ngjashme

Back to top button