Misteri i avionit të rrëzuar qëllimisht

Një ditë pasi autoritetet franceze deklaruan se ishte bashkë-piloti i fluturimit të Germanwings, ai që e kishte çuar avionin drejt përplasjes, shumë pyetje mbesin ende pa përgjigje.

Të martën, më 24 mars, avioni ishte nisur nga Barcelona për në Dyseldorf, dhe ishte përplasur në Alpet franceze, duke lënë të vrarë të 150 personat në bord, 144 udhëtarë dhe 6 pjesëtarë të ekuipazhit. Në mesin e tyre, më së shumti kishte gjermanë dhe spanjollë.

Dhe ndërkohë që 18 kombe mbajnë zi për qytetarët e tyre, që humbën jetën në këtë tragjedi, autoritetet gjermane kanë bastisur shtëpinë e bashkë-pilotit, Andreas Lubitz, 27 vjeçar, i cili jetonte në Dyseldorf, për të kuptuar arsyen e veprimit të tij.

Prokurorët gjermanë thanë se ai e ka mbajtur të fshehtë një sëmundje nga punëdhënësit e tij. Në shtëpinë e tij, hetuesit kanë gjetur fletë-udhëzime nga mjekët, por që ishin të shqyera. Një prej tyre ishte udhëzim për të marrë ditë pushimi në ditën e fluturimit.

Prokurorët nuk e potencuan se për çfarë sëmundjeje bëhej fjalë në rastin e zotit Lubitz, por mediat gjermane raportojnë se ai ka vuajtur nga depresioni dhe ka pasur nevojë për mbikëqyrje.

Ata thanë gjithashtu se nuk ka pasur asnjë shenjë që do të dëshmonte ndërlidhjen e tij me ndonjë organizatë terroriste, ndërsa ata që e kanë njohur, thonë se Lubitz asnjëherë nuk ka dhënë shenja të keqbërjes.

Të dhënat e analizuara nga një pjesë e incizimeve që janë gjetur në njërën nga kutitë e zeza, flasin se autopiloti ishte riprogramuar për të nisur rënien e shpejtë të avionit.

“Ne në Lufthansa kemi mbetur pa fjalë”, ka thënë Carsten Spohr, drejtor ekzekutiv i linjës ajrore gjermane Lufthansa, e cila në pronë ka edhe linjën Germanwings.

Britmat në avion

Kutia e Zezë e cila ka regjistruar zërat në kabinën e pilotit përmban britma rrënqethëse. Kapiteni, i cili ishte bllokuar jashtë kabinës, dëgjohet duke trokitur fuqishëm në derë dhe duke kërkuar të hyjë në kabinë.

Ndërkohë, frymëmarrja e bashkë-pilotit ishte stabile dhe e qetë, pa ndonjë shenjë të ndonjë sulmi të mundshëm në zemër apo sëmundjeje tjetër, thonë autoritetet.

Pasagjerët e frikësuar dëgjohen duke bërtitur deri në çastin e fundit të këtij fluturimi.

Kapiteni ka mbetur jashtë kabinës, pasi kishte shkuar në tualet dhe kishte kërkuar që bashkë-piloti ta marrë drejtimin e avionit.

Që nga sulmet e 11 shtatorit 2001 në SHBA, linjat ajrore janë detyruar që hyrjen në kabinën e pilotëve ta mundësojnë vetëm brenda kabinës.

Operacionet e kërkimit

Operacionet e kërkimit tash janë përqëndruar në gjetjen e kutisë së dytë të zezë, e cila gjithashtu mund të ofrojë më shumë informacione për minutat e fundit të këtij avioni.

Qeveria franceze ka kërkuar nga Byroja Federale e Hetimeve në Shtetet e Bashkuara, FBI, të ndihmojë në hetimet rreth këtij rasti.

Familjarët e viktimave tashmë gjenden në Francë dhe po presin trupat e pajetë të të afërmve të tyre, apo atë çfarë ka mbetur prej tyre, pasi të ketë përfunduar identifikimi i mbetjeve mortore.

Disa mbetje janë gjetur, por shumë të tjera jo. Vendi ku është përplasur avioni është zonë e thellë malore, qasja në të cilën mund të bëhet vetëm me helikopterë./REL

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Nuk besoj se dera hapet vetem nga mbrenda edhe pse kshtu thuhet .. cka nese ne aeroport avioni esht i ndalur dhe rastesisht mbyllet dera .. ateher si e hapin pilotat deren .. dmth egziston edhe hapja manuele .. sidoqoft duhet te solidarizohemi me viktimat .. por nga ky rast dikush tjeter perfiton

Back to top button