fbpx

Kroacia arreston të dyshuarin serb për krime lufte

Media kroate raportoi ditën e enjte se policia ka konfirmuar se kanë arrestuar Vukadinin 55-vjeçar në një pikë kalimi kufitar në fshatin Strmica, ndërsa ai po kthehej nga Bosnja dhe Hercegovina më herët këtë javë.

Vukadini, i cili pretendohet se ka qenë kapiten i ushtrisë së Republikës së Krajinës Serbe, një entitet jo i njohur serb që ekzistonte midis viteve 1991 dhe 1995 në Kroaci, është i dyshuar për krime lufte ndaj pesë kroatëve në fshatin Oklaj pranë qytetit të Kninit në tetor 1993.

Zyra e prokurorit të shtetit në Split po heton nëse ai, së bashku me dy burra të tjerë, i kanë trajtuar në mënyrë çnjerëzore civilët kroatë, dhe kanë abuzuar fizikisht dhe verbalisht me ata.

Ligji kroat i bën zyrtarët ushtarakë përgjegjës për sigurimin e të drejtave të civilëve që jetojnë në territorin e pushtuar. Vukadini dyshohet se është përgjegjës për krahinat e Kninit dhe Drnisit, ku ndodhet edhe Oklaji.

Ai u arrestua në kufi ditën e hënë dhe do të rrijë në paraburgim në Split deri në përfundim të hetimeve për shkak të frikës se ai mund të arratiset.

Vukadini ka nënshtetësi serbe dhe kroate, por u largua nga Kroacia në gusht të vitit 1995, pasi Operacioni Stuhia i Ushtrisë Kroate i dha fund Republikës jetëshkurtër të Krajinës Serbe.

Që atëherë, ai ka jetuar në Beograd, por herë pas here viziton Kroacinë, ku ka një shtëpi afër Kninit.

Lajme të ngjashme

Back to top button