VIKTIMË JENIÇERËSH

Jeniçerizmi është fenomen i gjithkohshëm dhe i kudondodhshëm. Me emra të ndryshëm, atë e kanë praktikuar superfuqitë e hershme, si: perandoria kineze, perandoria romake, fallanga maqedonase, strellcovët e perandorisë ruse, perandoria otomane… Natyrisht: e paktikojnë edhe fuqitë e mëdha të kohës sonë.

Jeniçerizmi lidhet gabimisht vetëm me rekrutimin e ushtarëve nga radhët e popujve me identitet tjetër nga ai i shtypësve. Në fakt, ai shfaqet në versione të shumëllojshme gjithandej ku njerëz profesionesh të ndryshme pranojnë statuse renegatësh dhe vihen në shërbim të interesave politike, ushtarake, gjuhësore e kulturore të tjetrit.

Jeniçerizmi është makth frymëzënës për civilizimet e vogla, vetëdije e shtresuar në myshqet e së shkuarës, e cila do kohë për t’u shkulur që andej. Ndër shqiptarët, më mirë se kushdo tjetër këtë e kuptoi enciklopedia e gjallë – Faik Konica, që, për çrrënjosjen e kësaj mendësie, iu fut lëvrimit të shkëmbit

Konica besonte se të ligat shqiptare vin nga fryma e jeniçerizmit dhe nusprodukteve të tij: filozofia fataliste, shpirti i izmeqarit, kompleksi i madhështisë së munguar, kacagjelimet ndërvëllazërore, që ishin dhe janë më të forta se armiqësitë me pushtuesit. Pikërisht te ky shpirt i fortë robi, Gjeniu pa gjenezën e viktimizimit të shqiptarëve për të tjerët, sa herë që nuk janë në gjendje t’i kanalizojnë energjitë dhe të bëjnë diçka serioze për vetveten e kllumur n’gazep.

Kruajeni pak realitetin për ta kuptuar se koha e Konicës është dhe koha jonë, me gjithë takamin e ileteve tona kronike. Do ta shihni se, ndërsa jeniçerët e patakat të politikave shqiptare përballen me padronin si heroi i Servantesit me mullinjtë e erës, jeniçerët e kulturës shfrytëzojnë amullitë e tranzicionit të mbetur peng në mëshirë pinguinësh për të brrejtur si minjtë substancën etnike. Të tillët aktualisht janë të zënë me meremetimin e të kaluarës shqiptare. Ata lexojnë histori të huaja (kryesisht të ish pushtuesve), për t’i kundruar heronjtë e kombit “të tyre” po me atë dioptri, gjithnjë për interes të shtypësve aktualë, të cilëve u konvenon zhveshja e shqiptarëve nga personlitetet historike që ua njeh bota. Për mendjen e çatrafiltë Gjergj Kastrioti, Pjetër Bogdani, Gonxhe Bojaxhiu… janë sllavë, Ismail Kadareja agjent Vatikani, Sami Frashëri turk e hajt bir. Prandaj këtij të fundit, bie fjala, ia njohin dhe afirmojnë gjithë veprat letrare e shkencore të shkruara në gjuhën e tjetrit, po jo dhe traktatin politik të Rilindjes kombëtare “Shqipëria çka qënë ç’është e ç’do të bëhetë?”, sepse kjo vepër ua qet sheshit bozën e abuzimeve jeniçerishte.

Ndoshta specia e argatëve iftiaçlinj për honorare fijengatërruara si lesharapi nuk ka kapacitet të ngulfasë me fund shqiptarët, por dëmet e shkatuara na bëjnë të vendnumërojmë si dikur. Ndryshe do të ishte po t’na ndihmonte shteti Amë për t’mbijetuar kllapitë. Të tjera daulle do të binin atëherë për shqiptarët e Malit të Zi në proces të pandalshëm boshnjakëzimi, për shqiptarët e Luginës së Preshevës në proces të dhimbshëm shpërnguljeje pa kthim nga vatrat e të parëve, për shqiptarët e Maqedonisë në proces të heshtur humbjeje të frymës së etnisë… Por ne nuk e kemi këtë fat, sepse, edhe të katandisur nën thundra hijenash, jemi të vetmjaftueshëm dhe kërkojmë mospërzierjen e Shqipërisë në vakitë tona; sepse, mjerisht, edhe po ta kërkojmë këtë, dy shtetet kosmopolite shqiptare mund t’na mëshirojnë me lëmosha, të ngjashme me atë investimin e turpshëm që bënë për Luginën e Preshevës.

Sa e dhimbshme!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button