fbpx

Arrestohen Mark Frroku dhe Tom Doshi

Arrestohen Mark Frroku dhe Tom Doshi. Urdhër-arresti është lëshuar nga Prokuroria e Përgjithshme, dhe është ekzekutuar nga Policia e Shtetit. Mark Frroku u arrestua në një lokal në pronësi të familjes së tij rreth orës 16:35, ndërkohë që forcat e policisë kanë hyrë në banesën e deputetit Tom Doshi. Dy deputetët priten të mbërrijnë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Kanë qenë forcat e njësisë speciale “Shqiponja”, që kanë ekzekutuar urdhrin e Prokurorisë së Përgjithshme për deputetin Frroku. Ndërkohë, policia ndodhet ende në banesën e Doshit. Jashtë ambienteve të banesës së deputetit të qarkut të Shkodrës është vënë re një tension, pasi mediet janë ndaluar të filmojnë.

Arrestimi i dy deputetëve vjen pas vendimit të Kuvendit të Shqipërisë, i cili i hapi rrugë organit të akuzës për ndjekjen penale,  arrestimin dhe kontrollin e banesave të dy deputetëve.

Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot heqjen e imunitetit të dy deputetëve. 80 deputetë u shprehën pro heqjes se mandatit për deputetin Tom Doshi, ndërsa për imunitetin e Mark Frrokut u votua me 79 vota pro dhe një abstenim. Ndërkohë, në votim nga opozita mori pjesë vetëm deputetja Mesila Doda, pasi pjesa tjetër e deputetëve demokratë braktisën Kuvendin. /Shekulli/

Lajme të ngjashme

Back to top button