Nga Kopengaha në Tetovë, realizohet ëndrra e çiklistit shqiptar (Foto)

Pas trembëdhjetë ditësh udhëtimi me biçikletë nëpër Evropë arritën në qytetin e Tetovës, dy aventuristët, Sabedin Asllani, mërgimtar në Danimarkë dhe shoku i tij danez Torben Johanson.
Të dy kaluan mbi 2700 kilometra për ta realizuar ëndrrën e kamotshme të çiklistit Asllani për tu kthyer me biçikletë në vendlindje. E për ironinë e rastit, vendlindja i priti ata me rrugë të dëmtuara duke ua plasur gomat e biçikletës.


“Para shumë viteve një gjë e tillë më dukej e pamundshme, mendova që do lodhem shumë. Por kur Torbeni dëgjoni idenë time, më përkrahu, me të punoj thuajse 15 vite dhe së bashku gjashtë muaj planifikuam rrugën tonë për në Tetovë” tha për Portalb, Asllani duke treguar peripecitë e udhëtimit të tyre.

Katër ditët e para përshkruan ai, u përballem me mot me shi, ishte vështirë por ia dolëm. 

“Më pas, me hyrjen në Ballkan filluan të na paraqiteshin edhe problemet e tjera, rrugë shumë të dëmtuara dhe mospasja e rrugicave për biçikleta. Kemi udhëtuar më shumë nëpër fshatra dhe qytete më pak të frekuentuara, kjo na bëri që të zgjatet udhëtimi, por ishte vërtet rrezik të vozisje nëpër magjistrale.Sidomos në Kosovë dhe Serbi hasëm në vështirësi të paparashikueshme, por vullneti për të ardhur në shtëpi ishte më i madh dhe ia dolëm” thotë Sabedini.

Për shkak të bllokadës së kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë, ata e kanë lënë fugonin e tyre që i ka shoqëruar matanë kufirit. 

Sabedni është 41 vjeçar dhe punon në postën e Kopenhagës ndërsa shoku i Sabedinit, Torben është 51 vjeçar. Ata e kanë hobi çiklizmin dhe vrapimin. 

“Jam shumë i lumtur që ia dolëm, çdo moment ia vlen” tha Johanson për Portalb.

Sabedinin dhe Torbenin sot i priti dhe kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

“Kur ke shoqëri të mirë tejkalohen gjitha vështirësitë për ta realizuar një ëndërr. Ishte kënaqësi ta kalosh rrugën e njëjtë që e bëj vite me rradhë, por kësaj herë ndryshe. Falënderoj kryetarjen për pritjen e saj” tha Asllani. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button