fbpx

Eda Zari, Luran Osmani, Shuki Neziri në ekspozitë në Prishtinë

Këngëtarja e njohur, Eda Zari interpreton të premten në darkë në Prishtinë, në një aktivitet kulturor ku vjen edhe si fotografe, duke sjellë përjetimet e saj në ekspozitën “Muzika, Fotografia, Momenti”.  Ekspozita në Teatrin “ODA” sjell në Prishtinë edhe piktorët nga Tetova, Luran Osmani dhe Shuki Neziri.

E mbështetur nga Ministria kosovare e Diasporës, ky eveniment me moto “Fotografia është heshtja, që flet në një udhëtim muzikal” do t’i prezantohet publikut si një përjetim i përveçëm, një përvojë e përzgjedhur për shqisat, syrin, veshin, mendjen dhe shpirtin, transmeton Top Channel.

Artistja Eda Zari prezantohet kësaj here, jo vetëm si performuese vokaliste në skenë, por edhe si fotografe, shoqërohet nga perkursionisti i mirënjohur Rhani Krija, nga grupi i STING, nga pianisti Ilir Bajri dhe basisti Visar Kuçi, për të sjellë tituj, këngë dhe kompozime, bazuar në 4 ciklet fotografike të ekspozitës.

Instalacionet fotografike, vendosur në koncept interaktiv në sallën e Teatrit “Oda”, do të shoqërohen nga forma të ndryshme muzikale: jazz, etno-motive, improvizime, ritme trance, instrumente monokorde arkaikë, zëra, tinguj natyrorë, etj.

Zëri dhe interpretimi i Eda Zarit, në dialog me muzikantët e saj do të zgjerojnë spektrin tonativ, duke sjellë nuanca vajtimi, heshtjeje, nota sensuale, melankolike, por aq dhe jetësore.

Karakteri i performancës është meditativ, duke sjellë dëshirën për heshtje, në paqe me shpirtin. Të gjithë ne, në momente të caktuara të jetës, kemi thellësisht nevojë për reflektim, heshtje, për t’u çliruar nga mbingarkesat ndjesore, duke bllokuar filtrat negativë me të cilat na përball jeta, thuhet në njoftimin për këtë eveniment, i cili pritet që më pas të zhvendoset edhe në Tiranë. 

Lajme të ngjashme

Back to top button