fbpx

Irani dënon sulmet ajrore të Arabisë Saudite në Jemen

Irani i ka dënuar sulmet ajrore të Arabisë Saudite kundër kryengritësve në Jemen, duke i vlerësuar ato si “hap të rrezikshëm” që mund t’i shkatërrojnë gjasat për zgjidhjen paqësore të situatës në Jemen.

Arabia Saudite dhe aleatët e saj nga Gjiri Arab kanë lansuar sulme ajrore kundër kryengritësve Huthi në Jemen.

Kryengritësit e kanë ashpërsuar sulmin e tyre kundër qytetit Aden, ku është strehuar presidenti i Jemenit, Abd-Rabbu Manosur Hadi.

Një i dërguar saudit në Shtetet e Bashkuara tha mbrëmë se koalicioni prej 10 vendeve po merr pjesë në fushatë “për ta mbrojtur qeverinë legjitime” të presidentit të Jemenit, Manosur Hadi.

Më vonë, aeroplanë të paidentifikuar kanë ndërmarrë sulme kundër aeroportit të kryeqytetit Sana në Jemen, dhe ndaj një baze madhore ushtarake në pjesën jugore të këtij vendi.

Një lider i lartë i lëvizjes Huthi në Jemen tha se sulmet ajrore të Arabisë Saudite paraqesin agresion kundër vendit të tij dhe ka tërhequr vërejtjen se kryengritësit do të ndërmarrin “luftë të gjerë” në rajon.

Shtëpia e Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur operacionin saudit dhe se presidenti, Barack Obama, e ka autorizuar “mbështetjen logjistike dhe të inteligjencës”.

Lajme të ngjashme

Back to top button