Deklarimet hipokrite të Qeverisë, nuk kalojnë te studentët

Studentët shqiptarë nuk janë kundër dhënies së vauçerëve me vlerë për tabletë kompjuterë  për absolventët si që dhe premtoi kryeministri Gruevski në fjalimin e tij ekstra të gjatë, mirëpo ata theksojnë se prioritet janë shumë gjëra tjera.

“Në fillim kishim objekt në të cilin nuk hapeshin dritare dhe nuk kishte ngrohje dhe nuk punonin tualetet, tash na sollën në një objekt ku mësojnë filloristët, kjo është e tmerrshme, nuk kemi objekt tonin. Mirë po i marrim tabletet por ­çfarë të bëjmë me ata”, tha A. T., student i USHT-së.

Studentët shprehen të shqetësuar që po përfundojnë studimet dhe se po e shohin krizën ekonomike dhe politike, me ç’rast ndjehen pesimist për të ardhmen.

“Nuk na duhen tablet, na duhet punë që të mundemi vetë t’i bëjmë vetës këtë luks. Po përfundojmë studimet dhe po shohim mijëra qytetarë me diploma që sillen rrugëve pasi që për punësi u kërkohen libreza partie dhe favore të ndryshme. MASH duhet të investojë në ndonjë program punësimi dhe kjo për këtë. Kjo nuk është e qëlluar, po mundohen të na blejnë”, tha  I.R. studente.

Ish ministri i arsimit dhe shkencës, Sulejman Rushiti thekson për Portalb se ky projekt nuk është as prioritet as rezonon me realitetin.

“Projekti tablet për  ­­çdo student nuk është as prioritet as rezonon me realitetin.  Vlerësoj që është më tepër një joshje për të përfituar përkrahje në këtë kohë të kësaj krize politike”, tha për Portalb, Rushiti.

Gjithashtu edhe ish zëvendës drejtori në Byronë për zhvillimin e arsimit, profesori Zeqir Kadriu thekson se nuk ka kundër trendit më të avancuar elektronik por sipas tij shumë punë më të rëndësishme kane ngelur prapa.

“Kujtoj se është tejet luks ende pa i bërë ca punë më të rëndësishme, se kjo do furnizohen një kategori student me tablet. Asgjë nuk kam kundër trendit më të avancuar elektronik por kujtoj se shumë punë më të rëndësishme kane ngelur prapa. Sa për kujtesë do të cek se për momentin e dhënë vlen,thënia popullore: ‘Shtëpia digjet,plaka krihet’”, tha për Portalb, Kadriu.

Ndërkaq për realizim të këtij projekti i cili është miratuar në formë të ligjit janë paraparë të ndahen mjete prej 96.000.000 denarë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button