Tregimi i fundit i dashurisë

Unë i shkruaja poezi e nganjëherë edhe i këndoja. Por më shpesh i tregoja tregime e përralla. Ajo i adhuronte ata. Ndonjëherë e qetë rrinte pranë meje e dëgjonte me vëmendje e herëve tjera qeshte si fëmijë e dalldisur. E qeshura e saj e hareshme dhe e zëshme ishte gjëja më e bukur që kisha dëgjuar ndonjëherë. Pëlqente gjithçka që dëgjonte nga unë. Madje i dëgjonte me dëshirë edhe tregimet e trishtueshëm, tregimet e dashurive të shkatërruara e të pafata. Atëherë mrrolte vetullat dhe shihja se si lotët i mblidheshin në cepin e syrit. Prisja çastin kur do të rrëshqisnin mbi mollëzat e saja pikaloshe dhe ndalesha. Dëneste. E përqafoja. Nuk jam ndjerë asnjëherë kështu më thoshte. E fortë dhe e brishtë. E dashur dhe e urryer. Mes yjeve duke fluturuar dhe e mbyllur në skëterrë. Mahnitesha me fuqinë e saj që buronte nga çiltërsia e zemrës dhe shpirtit. Këto skajshmëri do të shkatërronin gjithçka veçse jo dike që dashuronte. E ajo dashuronte shumë.

Ndonëse tregimet e mia bëheshin gjithnjë e më të trishtueshëm, ajo vazhdonte t’i dëgjonte ata me ëndjen e një fëmije kureshtar. Nuk shkruaja më poezi dashurie e as tregoja tregime të hareshme. Megjithatë kureshtja e saj nuk u shua, më dëgjonte me vëmendje, por vërejta që kishte kaluar kohë që kur e kisha dëgjuar të qeshte. Nuk kisha guximin ta pyes a ishte e lumtur. Në vend të kësaj e pyeta se pse nuk qesh më. Edhe kjo pyetje mjaftoi. Më shikoi e përlotur dhe më shtrëngoi dorën. Më falënderoi për poezitë e bukura, për tregimet dhe përrallat. Gjithashtu më falënderoi që e kisha mësuar se sa e fuqishme mund të jetë  dashuria dhe se sa i dhimbshëm mund të jetë trishtimi. Në fund shtoi që kishte ardhur koha të gjeje dike që do e mësoje për lumturinë. Më puthi në faqe, ma lëshoi dorën dhe shkoi. Mbeta i shtangur. Belbëzova që edhe unë dija diçka për lumturinë, por ishte vonë.

Gjithçka që dikur ishim mbeti vetëm në tregime dhe në vargjet e thurura me kujtime. Sikur të mundesha ta fal veten edhe sikur ajo të mundeshe të harrojë – vetëm atëherë pendimi im do të zhbënte tregimin tim. E unë sërish do të tregoja tregime për lumturinë e ajo do të më mësonte për dashurinë.

Fragmente nga Lundruesi

Lajme të ngjashme

Back to top button