Shtiner: Negociata paralele për anëtarësim në BE dhe zgjidhje të kontestit me emrin

Fillimi i negociatave me BE-në dhe zgjidhja paralele e kontestit të emrit është rruga e vërtetë për Maqedoninë, deklaroi për Deutsche Welle-n, deputeti gjerman, liberali Rajner Shtiner.

Ai thotë se nuk mund ta kuptojë bllokadën e rrugës euroatlantike të Maqedonisë dhe se kërkesa që vendi ta ndërrojë emrin për t’u bërë anëtare e plotfuqishme e BE-së dhe NATO-s është kushtëzim.
“Unë jam në anën e Maqedonisë. Nuk mund ta kuptoj palën greke. Fakt është se Greqia me vite bllokon dhe vlerësoj se do të jetë mirë nëse shtetet evropiane dhe NATO-ja veprojnë më me këmbëngulje.

Edhe më mirë do të jetë nëse, Maqedonia edhe më tej fuqimisht tregon se është e përkushtuar në vlerat evropiane. Muajve të fundit po flitet se në Maqedoni përsëri në lojë fuqimisht janë kthyer argumentet kombëtare. Kjo nuk e bën gjendjen më të thjeshtë, por edhe krahas kësaj, shpresoj për zgjidhje të shpejtë”, thotë zëdhënësi për politikë të jashtme i grupit të deputetëve të liberalëve në Bundestag.

Para raportit të vjeshtës të BE-së për progresin e Maqedonisë, Shtiner e komentoi edhe opcionin – fillimi i negociatave për anëtarësim të plotfuqishëm dhe negociata paralele për zgjidhjen e kontestit me emrin. 
“Konsideroj se kjo do të ishte rruga e vërtetë përmes së cilës duhet të shkohet përpara. Të vendoset një lloj paralelizmi, jo kushtëzim! Kishim edhe procese të tjera inkuadruese në të cilat pati paralelizëm. Vlerësoj se punët munden të zgjidhen edhe në këtë mënyrë”, thotë Shtiner sipas së cilit, stërzgjatja e gjithë procesit inkuadrues mund të reflektohet edhe mbi stabilitetin e brendshëm të Maqedonisë.

Parlamentari gjerman thotë se krahas BE-së, edhe NATO-ja duhet t’i hap dyert për Maqedoninë dhe se vendet anëtare duhet të bëjnë presion më të madh, pasi që me interes të përbashkët është që ajo të bëhet anëtare e plotfuqishme. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button