A ka dalje nga kriza në Maqedoni?

Kriza politike në Maqedoni vazhdon të thellohet, bazuar në qëndrimet e partive lidhur me “aferën e përgjimeve“ të opozitës, e cila pretendon se pushteti “ka bërë krime të shumta“, andaj edhe përsëriti kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit, Nikolla Gruevski. Por, kjo kërkesë e përsëritur një ditë më parë nga kryetari i Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev, u hodh poshtë nga partia, VMRO-DPMNE e kryeministrit, Nikolla Gruevski, shkruan REL.

Ajo vlerëson se “është populli ai që vendos se kush do të qeverisë me vendin, e jo LSDM-ja dhe Zoran Zaev“.

Ndërkohë, kryeministri Gruevski mbetet në qëndrimin se “afera e përgjimeve është vepër e shërbimeve të huaja sekrete e realizuar me kërkesë të liderit të opozitës”.

“Në bazë të njohurive të deritanishme që i kemi siguruar nga Ministria e Punëve të Brendshme, pas bisedave të përgjuara qëndron një shërbim sekret i zbulimit nga jashtë, bashkëpunëtor kryesor i të cilit në Maqedoni është Zoran Zaev, i cili ka zhvilluar një rrjet të tij të përgjimit. Me këtë bijnë në ujë të gjitha akuzat e opozitës se ne qëndrojmë pas përgjimeve pasi nuk ka qoftë edhe një dëshmi për këtë”.

“Si është bërë përgjimi? MPB-ja ka ftuar ekspertë të shquar nga jashtë dhe me këtë rast ka konstatuar se përgjimi është bërë me një pajisje taktike, e cila herë pas herë në lokacione të ndryshme në Shkup, ka kryer përgjimin e bisedave telefonike“, ka deklaruar kryeministri Nikolla Gruevski, por pa komentuar përmbajtjen e publikuar të incizimeve.

Kryeministri Gruevski ka theksuar se për këtë çështje do të vendosin organet gjyqësore.

“Se a janë ose jo të besueshme këto biseda, do të dëshmohet përmes procedurës gjyqësore, përmes një procedure ligjore të paraparë për ngjarje të këtilla. Unë nuk do të komentoj besueshmërinë e materialeve të montuara, të cilat janë siguruar në mënyrë të paligjshme. Për këtë rast, askush nuk duhet të ngutet me konstatime dhe vendime”.

“Në procedurën e cila do të jetë transparente, do të dëshmohet gjithçka. Askush nuk duhet të gjykohet para se për këtë të vendosin organet gjyqësore“, ka deklaruar kryeministri, Gruevski.

Ndryshe nga ai dhe partia e tij VMRO-DPMNE, Bashkimi Demokratik për Integrim që është pjesë e qeverisë, kërkon që afera e përgjimeve të hetohet nga ekspertët ndërkombëtarë, për shkak të, siç shprehet, “humbjes së besimit në institucionet gjyqësore vendase“.

BDI-ja në vazhdimësi i ka bërë thirrje opozitës të publikojë gjithçka që posedon edhe për zyrtarët e saj në qeveri, apo institucione tjera shtetërore. Lidhur me krizën politike, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në takimet që ka zhvilluar me diplomatët perëndimor ka theksuar se “kapaciteti demokratik dhe institucionet e vendit janë vënë një sprovë sfiduese dhe vendimtare”.

Në këtë kuadër, zëvendëskryeministri nga radhët e BDI-së, Fatmir Besimi, pas vizitës së fundit në Bruksel, tha se BE-ja është e gatshme të ndihmojë në kapërcimin e krizës.

“Ata janë të gatshëm të ofrojnë ndihmë edhe në procesin gjyqësor. Është me rëndësi të theksohet se kërkesa nga Bashkimi Evropian është që dialogu politik të fillojë sa më shpejt që të jetë e mundur”.

“E dyta, procesi gjyqësor të zgjidhet sipas parimit të sundimit të së drejtës,apo funksionimit të ligjit, të jetë proces me institucione të pavarura dhe transparente me qëllim që të sigurohet një proces fer. Pra, me rëndësi është se ata janë të interesuar të ndihmojnë Maqedoninë në këtë proces deri sa të marrë vijën e duhur drejt zgjidhjes”, ka deklaruar zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi.

Lajme të ngjashme

Back to top button