Ukrainë, arrestime “live” të dy zyrtarëve të lartë gjatë një mbledhjeje të ekzekutivit (Video)

Dy zyrtarë të lartë ukrainas janë arrestuar në mes të një mbledhjeje të qeverisë, në vazhdën e fushatës antikorrupsion, e cila vetëm pak orë përpara kësaj ngjarjeje ishte bërë shkas i pezullimit nga detyra të një guvernatori të fuqishëm rajonal.

Kreu i shërbimit të emergjencave, Serhiy Bochkovsky dhe zëvendësi i tij janë prangosur përpara kamerave gjatë takimit, që po transmetohej drejtpërdrejtë në televizion. Të dy zyrtarët dyshohen për përshirje në afera korruptive të nivelit të lartë. Episodi pasoi pushimin e bujshëm nga puna të guvernatorit miliarder, Ihor Kolomoisky.

Kolomoisky ka drejtuar rajonin industrial Dnipropetrovsk, të një rëndësie kyçe në vend, por ka qenë në rivalitet me presidentin Petro Poroshenko për kontrollin e kompanisë energjetike “Ukrnafta”.

“Arrestimet lidheshin me ryshfete për kontrata prokurimesh”, deklaroi pas ngjarjes ministri i Brendshëm Arsen Avakov.

“Kur vendi është në luftë dhe kur jemi duke llogaritur çdo qindarkë, ata vjedhin nga populli dhe nga shteti. Ajo që ndodhi në mbledhjen e kabinetit do t’i ndodhë kujtdo, që shkel ligjin e tallet me shtetin e Ukrainës”, i tha agjencisë “Reuters” kreu i qeverisë ukrainase, Arseny Yatseniuk.

Kievi është duke u përpjekur të shpëtojë ekonominë e dërrmuar me kursime dhe kredi të reja, por inflacioni i lartë, rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe e gazit po i varfërojnë njerëzit gjithnjë e më shumë./ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button