Depërtimi i stemave në vendet ballkanike

Lexo pjesën paraprake: STEMAT SHQIPTARE

Puna qëndron njësoj edhe me Bullgarinë. Qysh historiografia borgjeze dëshmoi se “stemë shtetërore bullgare nuk ka pasur në shekullin XIV”.[1] Ballashçevi pastaj thotë: “prej vulave të deritanishme prej plumbi të mbretërve bullgarë luani nuk shihet si shenjë shtetërore heraldike”.[2] Ështe e vërtetë se kanë ekzistuar edhe monedha bakri të mbretit Ivan Shishman, në të cilat si emblemë gjendej luani, shqiponja ose mushka ; por, pikërisht kjo shumëllojshmëri flet më së qarti për mungesën e shenjës shtetërore ose territoriale pak para se të vijnë turqit. Kjo vërtetohet edhe nga fakti se në Bullgari nuk kanë ekzistuar asfarë zakonesh heraldike, respektivisht turnirë, heralde etj. Ka të dhëna që klasa feudale bullgare shkonte në gjueti, por nuk ka dëshmi për turnirë, e stema paraqitet si rezultat i zakoneve të zhvilluara heraldike dhe prandaj Ballashçevi përfundon: “nuk ka asnjë dyshim për ekzistimin e shenjës shtetërore bullgare në shekujt e mesjetës”.[3] Këtë e ka konstatuar edhe Jeriçeku. Ai thotë se “luani si stemë nuk haset në monedhat e mesjetës e as në vula, dhe ai është dukur ne shekullin XVII”.[4] Edhe hulumtimet më të reja historike vërtetojnë se Bullgaria nuk ka pasur stemë shtetërore.[5]

Njësoj ishte puna edhe me shtetin bosanas të mesjetës. Këtë e ka konstatuar Solovjevi, i cili thotë: “Fillimet e heraldikes serbe dhe bosanase në shekullin XIV janë mjaft modeste. Në mesin e atij shekulli mezi paraqiten orvatjet e para të stemave të sundimtarëve që janë njëkohësisht edhe stema të shteteve, por ende nuk janë të qëndrueshme. Përsa u takon stemave te familjeve feudale dhe të provincave, që ato nuk ekzistonin as në Serbi, e as ne Bosnje në shekullin XIV”.[6] Edhe para Solovjevit, në fund të shekullit XIX Stojan Novakoviqi vërtetoi pa mëdyshje se: “Bosnja e Serbia, para shkatërrimit të tyre, e që ngjau para gjysmës së dytë të shekullit XV, nuk kishin stemë shtetërore te përpunuar  dhe të qëndrueshme përfundimisht”,[7] dhe se “stema bosanase nuk ka qenë e caktuar, e pikërisht në këtë gjendje u bë shkatërrimi i Bosnjës”.[8] Pas rënies së Bosnjës stemat ekzistuese mbetën në harresë, kurse familjet që emigruan u mbajtën në emigrim stemat e tyre, e disa prej tyre u vërtetuan prej Venedikut, Republikës së Dubrovinikut, Austrisë , Italisë etj.

Stemat u paraqitën më herët në Slloveni, pikërisht në shekullin XII, kur me stema u bënë feudalët, kleri e entet. Edhe disa provinca kishin stema të posaçme, kështu, për shembull, Kranjska kish shqiponjë në fushë të argjendtë; Shtajerska panterë, Gorishka luan të artë në fushë të kaltër. Mirëpo, nuk kish të formuar një stemë territoriale që do të përfaqësonte Slloveninë. Po kështu ishte edhe me Kroacinë. Si sllovenia ashtu edhe Kroacia, ishin nën ndikim të fuqishëm heraldik të Evropës Perëndimore, e në radhë të parë nën ndikimin gjerman dhe italian. Mirëpo edhe në Kroaci stemat u dukën në shekullin XIV, e pikërisht në familje e provinca. Kështu kish stema të Dalmacisë (prej fillimit të shekullit XV), të Sllovenisë (prej vitit 1496) edhe të Kroacisë së ngushtë (prej vitit 1527).[9] Do të thotë se edhe te ato nuk ka pasur një stemë të vetme e cila do të përfaqësonte Kroacinë si tërësi unike, respektivisht nuk ka pasur stemë territoriale (të vendit).

As në Mal të Zi po ashtu nuk ka pasur stemë shtetërore deri në mesin e shekullit XIX, e prej asaj kohe ekzistojnë stema edhe të senatorëve, kapelanëve (udhëheqësve të bandave muzikore), të gardistëve etj.

Në perandorinë osmane nuk ka pasur as stema shtetërore, as territoriale, as provinciale, as qytetesh, as familjare. Feja myslimane kufizonte paraqitjen e qenieve të gjalla, njerëz e kafshë. Megjithëkëtë vetëm në një vend në dokumentet turke haset e dhëna për stemën turke. Në dokument pa mëdyshje thuhet se “të arratisurit do ta shkatërrojnë stemën”. Për shkak të mungesës së fjalës turke është përdorë fjala latine “arma”, ndërkaq mendohet për stemën që ka qenë vendosur mbi hyrjen në gjykatore.[10] Në sixhil nuk janë dhënë shënime se çfarë pamje ka pasur stema. Edhe pse në Perandorinë osmane nuk ka pasur në përdorim stema, prapëseprapë ka pasur disa dukuri rudimentare heraldike. Ka mendime se tugra ka qenë stemë osmane.

Mund të përfundojmë lirisht se popujt ballkanikë, për shkak se kanë qenë nën pushtet të Perandorisë osmane ose nën pushtet të Monarkisë austriake e për shkak se ndikimi heraldik depërtonte ngadalë në Ballkan, deri me ardhjen e turqve nuk kanë pasur stema të formuara shtetërore, që do të përfaqësonin etnikisht kombësinë ose tërësinë gjeografike të një populli.

Ky proces shkonte kah formimi i stemave shtetërore e territoriale dhe kish filluar posaçërisht te ata popuj që kishin shtetet e tyre mesjetare, por u ndërpre me ardhjen e turqve, kështu që edhe ato stema territoriale, familjare, që ekzistonin deri atëherë harroheshin gradualisht. Te ata popuj të sllavëve të Jugut, që mbeten nën pushtetin e Monarkisë austriake, ky proces vazhdoi, por shumë ngadalë.

Vetëm pas çlirimit të popujve ballkanikë nga pushteti i turqve edhe në Austri në fillimin e shekullit XIX filluan të duken stema shtetërore, më së pari në Serbi, e pastaj edhe te popujt e tjerë jugosllavë, varësisht prej procesit të çlirimit të tyre. Në këtë drejtim rol të rëndësishëm luajtën stematografitë e Vitezoviqit dhe të Zhefaroviqit, e sidomos ato të Zhefaroviqit, sepse prej stematografisë së tij, popujt e çliruar ballkanikë merrnin ndonjë prej shumicës së stemave që kishin paraqitur në të dhe e shpallnin si stemë shtetërore e kombëtare. Kështu vepruan Serbia, Bullgaria etj.

Aleksandër MATKOVSKI

Autoriteti i padiskutueshëm i historiografisë maqedonase dhe ballkanike, autori i monografisë së famshme “Dervish Cara”, akademik Aleksandar Matkovski, që flet për kryengritjen më të madhe të shqiptarëve kundër Perandorisë turke në fillim të shekullit njëzet, shkroi një libër për stemat shqiptare, të titulluar STEMAT SHQIPTARE NË TË KALUARËN. Vepra u botua si separat i revistës shkencore Gjurmime albanologjike 2, 1969, në Prishtinë. Ky hulumtim është interesant jo vetëm pse është i pari i këtij lloji (dhe edhe pas botimit të saj nuk kemi të dhëna të jetë marrë kush në historiografinë shqiptare me stemat), por edhe për stilin dhe seriozitetin shkencor me të cilin autori i qaset historisë shqiptare. Portali ynë do ta botojë veprën në disa vazhdime dhe besojmë se kështu do ta zgjojmë kureshtjen e lexuesve e veçanërisht të studiuesve edhe për punën e historianit të madh Aleksandar Matkovski, por edhe për lëndën e cila trajtohet në këtë vepër.

VAZHDON


[1] Баласчевъ, Български държавенъ гърбъ „Минало” – Българско-Македонско научно списание, София 1909Р 185.

[2] Po aty, 182.

[3] Po aty, 176.

[4] Иречекъ, История на Българить, Tъново 1886, 485.

[5] Стойчев И. За лъва върху нашия герб и названието на монетната ни единица София.1940. Shih edhe një punim më të ri nga po ai autor: Стойчев И. Произход на българските държавни символи (герб, знаме, химн) – Военноисторически сборник, София 1946, 3-24.

[6] Solovjev, Prinosi za bosanku i ilirku heraldiku i rodoslovlje bosanskih i srpskih kraljeva. GZM. Arheologija. Seri e re, IX, Sarajevo 1954, 90.

[7] Novakoviq, vep.  e cit., 105.

[8] Po aty, 106.

[9] Dr. Stjepan Antoljak, Pomosni istoricki nauki, Skopje 1966, 275.

[10] Sixhil nr.6, flet 39h, dok. 3.

Lajme të ngjashme

Back to top button