Jordani-Rusi, marrëveshje për ndërtimin e një centrali bërthamor

Jordania njoftoi të martën se kishte nënshkruar një marrëveshje me Rusinë për ndërtimin e centralit të parë bërthamor, që do të kushtojë 10 miliardë dollarë.

Jordania kishte njoftuar në tetor të vitit 2014 se kishte zgjedhur dy ndërmarrje ruse “Rusatom Overseas” dhe “Atomstroyexport” për ndërtimin dhe vënien në punë të këtij centrali bërthamor, transmeton Indeksonline.

“Marrëveshja e nënshkruar dje përcakton kuadrin juridik dhe politik të bashkëpunimit mes Amanit dhe Moskës në këtë projekt”, theksoi shefi i Komisionit të Energjisë Bërthamore të Jordanisë, Khaled Tukan, cituar nga agjencia jordaneze e lajmeve “Petra”.
“Ai foli gjithashtu për mënyrat e furnizimit të cetralit me lëndë djegëse bërthamore dhe trajtimin e mbetjeve”, shtoi zyrtari jordanez.

“Kjo marrëveshje u nënshkrua nga Tukan dhe drejtori i përgjithshëm i ‘Rusatom Overseas’, Sergei Kirienko”, sipas agjencisë së lajmeve “Petra”.

Centrali jordanez, që do të financohet 49 për qind nga Rusia, do të përfshijë dy reaktorë 1.000 megavat dhe do të përfundojë në vitin 2023. Ai do të ndërtohet në Amra, një zonë në veri të kryeqytetit Aman.

Lajme të ngjashme

Back to top button