Hahn: Ata që aspirojnë në BE, duhet të sigurojnë sundimin e ligjit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, së bashku me komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, kanë bërë përurimin zyrtar të objektit të ri të Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë.

Në ceremoninë zyrtare të zhvilluar me këtë rast, ishte e pranishme edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Kryeministrit Mustafa ka thënë se qeveria që ai drejton është e përkushtuar ta luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Në programin e Qeverisë për periudhën 2015-2018, kemi shprehur përkushtimin dhe angazhimin tonë për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe që shteti i së drejtës të bëhet prioritet mbi prioritetet tek ne. Jemi të përkushtuar që sundimi i ligjit të mos ketë asnjë kompromis. Prandaj, le të jetë ky një rast i ri për sistemin e drejtësisë në Kosovë, le të jenë këto kushte edhe një kusht që të gjithë ata që punojnë në forcimin e mëtutjeshëm të demokracisë dhe shtetit të së drejtës të japin kontributin e tyre”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Ndërsa komisioneri Hahn ka thënë se ata që aspirojnë të anëtarësohen në BE, duhet të sigurojnë sundimin e ligjit.

“Sundimi i ligjit është vlerë qenësore demokratike por njësoj e rëndësishme për një mjedis afarist stabil, duke siguruar siguri ligjore për operatorët ekonomikë, duke mbështetur konsumatorët dhe duke stimuluar investimet, krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin. Një gjyqësor funksional, i paanshëm dhe i pavarur është një pasuri pa të cilën nuk mund të funksionojë një vend stabil dhe i suksesshëm”, ka thënë ai.

Hahn ka thënë se Kushtetuta e Kosovës mbron pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit.

“Është e rëndësishme që këto parime të zbatohen edhe në praktikë. Kjo kërkon pavarësinë e këshillave gjyqësore dhe prokuroriale, arsim të mirë ligjor, procedura të duhura emërimi dhe shkarkimi, kritere për vlerësim dhe performancë, procedura disiplinore. Dhe ajo kërkon llogaridhënie, efikasitete dhe cilësi në ndarjen e drejtësisë”, ka thënë ai. /Indeksonline/

Lajme të ngjashme

Back to top button