DHE NESËR ËSHTË SËRISH NESËR

Kur e kuptuam se jeta nuk ishte e denjë për ta kujtuar, atëherë filluam që ta sajojmë. E sajuam më të bukur se sa ishte. Folëm për shumë ngjarje që nuk ndodhën. I mveshëm më shumë aventura se sa i përjetuam. Duke e zbukuruar jetën tonë, synuam të lartësonim emrat drejt majave ku asnjëherë nuk ishim ngjitur. Besuam se rrëfimin tonë jetësor do ta besonin, mjaftonte që ta rrëfenim bukur. Me kalimin e kohës filluam t’i besonim gënjeshtrës tonë. U bindëm se e kishim jetuar jetën që nuk e patëm; jetën e sajuar prej gënjeshtre, të cilën ua tregonim të tjerëve me vetëbesim. Madje, porositëm të tjerë ta rrëfenin jetën tonë prej gënjeshtre.

Këtë “jetë” ua treguam dhe fëmijëve tanë. Ata besuan se ishin fëmijë prindërish me të “bëma” të mëdha. Nuk e dinin se “veprat” tona ishin ndërtuar me “materialin” e gënjeshtrës dhe mashtrimit.

Ngjashëm u kishim besuar të “veprave” të paraardhësve tanë. Duke u besuar përrallave e bëmë jetën tonë më të gënjeshtërt se sa ishte…

Thonë se diku është një vend i begatë, ku njerëzit nuk e shënojnë jetën e gatuar me brumin e gënjeshtrës. Jetë për ta është vetëm ajo që ka lënë gjurmë veprash dhe e tillë është fiksuar në kujtesë. Banorët e këtij vendi, që nuk di ku gjendet, lënë dhiatë t’u shënohen në gurët e varreve vetëm ditët që i jetuan prej së vërteti. Njëri ka shënuar se jetoi një ditë. Tjetri një muaj. I treti, më fatlumi, një vit.

Thonë se kah varrezat e çuditshme kaloi njeriu i anëve tona, që u habit me njerëzit jetëshkurtër, me gjasë foshnje. Pasi kishte lindur në Ballkan, mendja i shkoi te lufta. Po në atë vend asnjëherë s’kishe pasur luftë dhe asnjë ngjarje që shkakton vdekje masovike. Fotografitë e të vdekurve, në gurrët e varreve, ja ngatërronin mendjen. Pleq që kishin jetuar me ditë, të shumtën një vit!

Ballkanasit janë kurreshtarë dhe vështirë mbajnë sekrete, por ama secilit ia lexojnë letrën në xhep. Prandaj njeriu i viseve tona nuk ikte prej aty pa e mësuar të vërtetën.

Legjenda thotë se kur e  mësoi të vërtetën, qau me dënesje. “Paskam lindur i vdekur”. Kështu paska thënë njeriu i anëve tona, kur e krahasoi jetën e tij monotone me jetën plot të mira të atyre që kishin “jetuar” shkurt.

Ballkanasi u këndell dhe filloi ta sajonte jetën e re, që asnjëherë s’e kishte jetuar. Pastaj ua rrëfeu pasardhësve të tij. Ata i besuan rrëfimit prindëror…

Duke jetuar jetën e gënjeshtërt të të tjerëve dhe sipas qejfit të shumëkujt, njerëzit jetojnë një jetë të planifikuar e formatuar prej të tjerëve. Një jetë uniforme, brenda kornizave që i ka vendosur tradita e pranuar pa asnjë gjykim kritik. Kur pakkush e kupton se si nuk ka jetuar, nis e sajon jetën tjetër – të ndërtuar me “materialin” e gënjeshtrës, duke mbetur, kështu, diku matanë, përtej asaj që Zoti na fali si pronë.

Pasi jeta jonë është pronë e Zotit, ai na merr jetën e vërtetë. Jeta e sajuar me “materialin” e gënjeshtrës, nuk merret, sepse nuk ekziston. Është sajesë e kokëkrisjes. Sajesë e jona, e imja, për të qenë ndryshe nga çfarë jemi në të vërtetë.

Jeta e gënjeshtërt mbetet në botën e këndejshme, e sajuar për t’i besuar ata që do të vijnë pas nesh, të cilët, një ditë, do të besojnë (ose do të ikin me këtë besim) se patën paraardhës të denjë për t’i ndjekur dhe për t’i besuar verbërisht. Do t’i ndjekin kështu përgjatë një jete. Kur do ta kuptojnë (nëse do ta kuptojnë) se kishin harruar të jetonin, duke u marrë me kotësitë jetësore, atëherë do të sajojnë gënjeshtrën e radhës. Dhe kështu nesër është sërish nesër.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button