ITSHKSH promovoi botimet e reja

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, promovoi botimet e reja gjatë vitit të fundit kalendarik, sikurse edhe punën hulumtuese-shkencore. Bëhet fjalë për botimin e dy numrave të revistës “Studime albanologjike”, organizimin dhe botimin materialeve shkencore nga konferencat shkencore në edicionin e veçantë “Scupi” (tre numra), botimin e veprave studimore individuale të punëtorëve shkencor, pjesëmarrjen në konferenca dhe projekte tjera shkencore në vend dhe jashtë tij, etj.

Në fillim, drejtori i ITSHKSH–së, dr. Skender Asani, tha se Instituti po rrumbullakëson edhe një vit të sukseshëm në fushën e hulumimit shkencor, profilimit arsimor, shtimit të botimeve të reja nga fusha e albanologjisë dhe fushën e organizimit të tubimeve shkencore. “Ne kemi detyrim ndaj shoqërisë, ndaj publikut, që të sjellim prurje të reja shkencore që forcojnë identitetin shqiptar, por dhe projekteve që forcojnë dhe afirmojnë komunikimin dhe interferimet gjuhësore, kulturore dhe historike në Ballkanin e trazuar”, tha Asani. Kurse, aktivitetin e përshëndeti edhe drejtori i Institutit të Historisë Nacionale në Shkup, Dr. Dragi Gerogiev, i cili theksoi rëndësinë e veçantë të bashkëpunimit të ndërsjellë, i cili ka rezultuar edhe me organizimin dhe botimin e një konference shkencore.

ITSHKSH funksionon në kuadër të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, për çka promovimin e përshëndeti edhe ministri i këtij digasteri, Abdilaqim Ademi. “Duke e vlerësuar lartë punën e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, inkurajojmë punëtorët e saj shkencor, që të vazhdojnë edhe më me profesionalizëm t’i qasen hulumtimit të trashëgimisë sonë kulturore e historike, për çka ka nevoja të shumta. Ministria e Arsimit dhe Shkencës, brenda mundësive të veta, është në dispozicion të këtij instituti, sikurse edhe institucioneve të tjera arsimore-shkencore në vend, për të përkrahur nismat dhe projektet që kanë impakt të rëndësishëm në shoqëri”, u shpreh ministri Ademi.

Instituti ka bashkëpunim të ngushtë edhe me përfaqësitë e rëndësishme diplomatike në vend, siç është Ambasada amerikane dhe ajo gjermane, përfaqëuesit e të cilëve e përshëndetën promovimin në fjalë. Po ashtu edhe znj. Silke Mayer-Wit, drejtoresh e Forumit ZFD në Shkup, theksoi rëndësinë e veçantë të bashkëpunimit në më shumë fusha me ITSHKSH-në viteve të fundit.

Këshilltarja shkencore në IHN, Prof.dr. Natasha Kotllar, foli më hollësisht rreth konferencës shkencore dhe botimit të përbashkët mes dy instituteve “Kryengritja e Shtatorit e vitit 1913”, për të cilin tha se është një kontribut konkret i bashkëpunimit, gjë që flet edhe për thyerjen e disa barrierave ekzistuese mes shoqërisë maqedonase dhe asaj shqiptare në Maqedoni.

Në fund, sekretari shkencor dr. Sefer Tahiri, referoi për të gjitha aktivitetet njëvjeçare të dhe për të gjitha botimet e ITSHKSH-së, siç ishte botimi i dy numrave të revistës “Studime albanologjike”, organizimi dhe botimi materialeve shkencore nga tre konferencat shkencore në edicionin e veçantë “Scupi”, botimi i veprave të punëtorëve shkencor dr. Qemal Murati e dr. Zeqirija Ibrahimi, botimi i përbashkët me IHN-në, etj.

Lajme të ngjashme

Back to top button