fbpx

Plotësimi i kushteve të integrimit, raundi i 5-të BE – Shqipëri

“Shqipëria duhet të realizojë reforma cilësore. Dialogu pozitë-opozitë duhet të vijojë jo vetëm në tryezat ku flitet anglisht”. Këto ishin dy prej kërkesave kryesore të artikuluara nga Komisioneri i BE-s për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit Johannes Hahn, nga e pesta tryezë e dialogut të nivelit të Lartë Shqipëri-BE.

“Takimet ishin frymëzuese për të gjetur këndvështrime të reja për çështje të ndryshme. Këto takime dhe dialogu janë frytdhënëse për të ecur përpara në disa fusha. Kemi bërë një bilanc të ecurisë së 5 priorteteve, por edhe si do vazhdohet për negociatat, për një përafrim gradual të vendit në procesin e integrimit europian. Reforma në drejtësi duhet të jetë efikase dhe gjithëpërfshirës. Dialogu do të thosha janë frytet e të ecurit përpara sepse pa dialog nuk mund të ecet përpara. Në këtë këndvështrim jam i lumtur që kam parë dialog si nga opozita ashtu edhe nga mazhoranca dhe duket se të gjithë janë të angazhuar drejt procesit të integrimit. Ne po flasim për një proces që do të thotë një përafrim i vendit me standardet e BE. Prandaj është e rëndësishme që Shqipëria të vazhdojë reformën në drejtësi. Ka nevojë për politika koherente dhe duhet të vazhdojë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, shoqëruar me ndjekje penale dhe dëbime dhe së fundmi për respektimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe lëvizjes së personelit. Eshtë e rëndësishme që të ketë më shumë asistencë evropiane në burimet njerëzore”, tha Hahn.

Kryemistri Edi Rama u dakortësua me Komisionerin për nevojën e reformave cilësore, por, kërkoi që pritja e Shqipërisë për çeljen e negociatave, nuk duhet të zvarritet apo t’i shkrohen kërkesa të tjera.

“Puna për 5 prioritetet është intensifikuar dhe qysh prej takimit të shkuar kemi patur disa zhvillime me rëndësi, si nga pikëpamja legjislative, duke përmirësuar kuadrin rregullator dhe institucional, por dhe për konsolidimin e një bilanci që ka treguar deri më tani të jetë progresiv me fokus në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit. Eshtë shumë e rëndësishme cilësia e procesit, sigurisht për ne, jo për Bashkimin Europian, por për ne është e rëndësishme edhe shpejtësia. Kështu që, ne jemi shumë besimplotë që procesi i reformave në drejtësi është cilësor dhe i shpejtë, ashtu sikundër jemi besimplotë se në vjeshtë ne do t’i japim Komisionit në dorë, gjithçka të plotësuar, lidhur me të pestë prioritetet, nëse i referohemi detyrave të shkruara dhe për këtë unë i kërkova Komisionerin që procesi të jetë i qëndrueshëm dhe i parashikueshëm dhe të mos kemi shtesa kati rrugës, por brenda kornizës të përcaktuar bashkarisht, Shqipëria të japë rezultate një më një, sipas detyrave të përcaktuara”, tha Rama.

Një burim nga tryeza i tha Top-Channel, se gjatë fjalës së saj ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, ka kërkuar, që Shqipërisë t’i jepet rekomandimi për hapjen e negociatave.

Por kryetarja e Komisionit Parlamentar të Integrimit Europian, Majlinda Bregu mendon të kundërtën, pasi siç thotë ajo, nuk kanë marrë zgjidhje një sërë problemesh që lidhen me krimin e organizuar, administratën publike dhe të drejtat e njeriut.

“Do të doja shumë t’i bashkohesha optimizmit të Kryeministrit dhe të Qeverisë së tij për situatën në vend. Fatkeqësisht situata nuk është ajo e cila të premtojë për hapjen e negociatave. Por, reforma në drejtësi për momentin nuk është as e qëndrueshme, as gjithëpërfshirëse dhe për t’i dhënë mundësi që të shqyrtohet në çdo detaj të saj, kam propozuar gjithashtu në emër të opozitës, që do të jetë me rëndësi primare të fillojë procesi i menjëhershëm, që do të thotë që kapitulli 23 dhe 24, që do të jenë të parat në hapjen e negociatave, të fillojnë që tani që të shqyrtohen, për të parë se si po ecin reformat në këto fusha”, tha Bregu.
/ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button