Ristova: Ekspertët mund ta vërtetojnë autenticitetin e audio regjistrimeve

Profesoresha universitare Mimoza Ristova vlerëson se ekspertët mund ta vërtetojnë autenticitetin e audio regjistrimeve nga afera me përgjimet në nivel të lartë të probabilitetit transmeton Alsat.

Sipas saj, nëse në analizat vërtetohet nivel i lartë i besueshmërisë, regjistrimet duhej të merreshin parasysh si material dëshmues në ndjekjen eventuale penale të personave të përfshirë. Ristova vlerëson madje se pjesa më e vështirë e punës është mbaruar, sepse në regjistrimet e publikuara u vërtetua se zërat janë të personave të cilët dëgjohen.  Mbetet të vërtetohet vetëm nëse ka “ngjitje” dhe “montim” të fjalëve të shqiptuara. Sipas analizave paraprake të një pjese të bisedave, Ristova nuk beson se bisedat janë të montuara. Një gjë e këtillë, sipas saj, ose është e pamundshme ose do të duhej shumë kohë dhe ekspertë vetëm për një, e lëre më për mijëra biseda.

“E dini, unë tani tentova një prej këtyre bisedave që i ka bërë Mijallkovi, tentova t’i bashkoj, të bëj diçka, mirëpo çdo fjalë është shqiptuar me intonacion të veçantë, në kontekst të veçantë, në ambient të veçantë, në zhurmë të veçantë, në disponim të veçantë, në pjesë të veçantë të ditës ku zëri është më i gjallë në orët e mëngjesit. Telat e zërit më lehtë vibrojnë, ndërsa gjatë ditës kjo bie, kështu që njeriu i cili do ta bëjë këtë duhet të ketë kaq shumë material, kaq shumë dije. Dhe kjo nuk duhet të jetë një njeri, duhet të jenë dhjetëra persona që do t’i ndajnë në sekuenca fjalët, që do t’i renditin në kontekst, do t’i renditin në disponim. Mendoj, këtu keni kaq shumë faktorë të ndarjes që në të vërtet vështirë mund të besoj se dikush mund ta bëjë këtë. Ndryshe, po të mundte kaq lehtë të bëhej kjo, atëherë prej yjeve tona të mëdha të estradës botërore, nga Majkëll Xheksoni deri tani do të bënin këngë të re”, tha Mimoza Ristova, profesoreshë universitare dhe ekspert i autorizuar gjyqësor.

Lajme të ngjashme

Back to top button