FRI mbajti Kuvendin e nëntë vjetor

Sot u mbajt kuvendi vjetor i Forumit Rinor Islam. Kuvendi filloi me fjalën përshëndetëse të kryetarit të kuvendit, Kujtim Kasamit, duke vazhduar më pas me fjalën përshëndetëse të kryetarit të Forumit Rinor Islam, Fevzi Musliut.

Pika e parë e punimeve të kuvendit qe raportimi i aktiviteteve që ka realizuar FRI-ja përgjatë vitit 2014. Raporti u prezantua nga kryetari i FRI-së. U prezantua edhe raporti finansiar për këtë vit. Në rrjedhojë të paraqitjes së raportit kishte edhe diskutime nga të pranishmit. Përveç kësaj, u diskutua edhe për planin aksional të FRI-së në të cilin u theksuan projektet për vitin 2015.

Në kuvend të pranishëm si mysafirë ishin Zulqefli Sinani, ish kryetar i degës së Shkupit, Mr. Milazim Mustafa, sekretar i Qendrës për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional si dhe Dr. Afrim Osmani.

Pas përmbylljes së punimeve të kuvendit, për të pranishmit në këtë kuvend u mbajt ligjëratë me temë “Serioziteti dhe vazhdimësia në punë”. Temën në fjalë e elaboroi Hasan Baftijari, teolog, njëherit nënkryetar i Forumit Rinor Islam.

Ky ishte kuvendi i nëntë vjetor i Forumit Rinor Islam, paraprakisht çdo degë FRI-së si dhe Sektori Femrës kishte mbajtur kuvendin e saj vjetor.

Lajme të ngjashme

Back to top button