Ja çfarë “humbi” e çfarë “fitoi” Serbia nga sulmet

Mediat serbe kanë “përkujtuar” fillimin e sulmeve të NATO-s ndaj forcave policore dhe ushtarake të Serbisë, 16 vjet më parë. Sipas vlerësimeve të dala nga to, në 11 javë sa zgjaten sulmet, janë vrarë 1200 deri në 4000 persona.

Sipas portalit serb Telegraf.rs, bombardimet të cilat pa ndërprerje zgjatën 78 ditë, kishin dëmtuar rëndë infrastrukturën, objektet industriale, shkollat, institucionet shëndetësore, shtëpitë mediale, monumentet, etj.

Mediat serbe gjithashtu rikujtojnë se sulmi ndaj Serbisë apo RFJ-së është bërë pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, gjë që vlerësohet si një precedent, transmeton Telegrafi.

Gjithashtu Telegrafi.rs, shkruan se RFJ u sulmua pas “supozimit se Serbia ishte fajtor për katastrofën humanitare në Kosovë (shkaku i menjëhershëm ishin ngjarjet në Reçak) dhe dështimi i negociatave për statusin e ardhshëm të krahinës që u zhvilluan në Rambuje dhe në Paris”.

“Dëmi i përgjithshëm është vlerësuar të jetë rreth 100 miliardë dollarë”, shtohet më tej.

Përveç humbjeve, mediat serbe kanë shkruar edhe për “fitoret”.

Po sipas tyre, duke cituar Agjencinë ruse APN, NATO ka humbur mbi 400 ushtarë dhe më shumë se 60 aeroplanë.

Për të ilustruar fitoret, mediat përmendin mbetjet e aeroplanëve F-117 DHE F16, fluturake pa pilot…, të cilat ruhen në Muzeun e Aviacionit në Beograd, shkruan “Telegrafi”.

Pas sulmeve ajrore, mediat vlerësojnë se si rezultat i presioneve diplomatike, u nënshkrua marrëveshja e Kumanovës, më 9 qershor 1999, pas së cilës edhe u ndërprenë sulmet ajrore ndaj RFJ-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button