“Ti ende s’më merr”

Shqeva qetësinë e natës

me britmë të shëllirtë nga lotët

Dheu më tha “Po”

më rrëfeu për një vend

pa krimba e pa urithë

ku binte hija e një shelgu gjatë ditës

e natën frynte një fllad i butë jugu

Aty ku hëna llamburiste e lazdruar

një dritë e shoqëruar me melodinë

e këngës së shpirtrave të humbur në erë.

Ti pse nuk më merr?

Pafajësia më la kur i thashë

që s’do të jem kurrë më shumë se kaq

sytë e saj të bruztë u shkrinë

dhe “Mund të ishe” tha me zë të zymtë

e dorë për dore me shpresën u shprishën.

Ti pse nuk më merr?

Letra me padurim e thithi bojën e stilolapsit

dhe me të çoi dashuri

të shprehur me kaligrafi të pametë.

pikat, kryqet dhe shkronjat u thanë,

rreshta tragjedie që nuk shlyhen

pa u lexuar nga ata që i lë pas.

Ti pse nuk më merr?

Ndërgjegjja më shikoi e ngërdheshur

e fshehur nën hijen e shpirtit të thyer më tha

“Do të derdhen lot për ty.”

“Jo nga ata që i dua…”

i pëshpërita në errësirë.

Iku edhe ajo, e ngushëlluar nga terri.

Ti pse s’më merr?

Errësirën e gëlltiti flaka e ferrit

që u rrit e zhveshi dhëmbë të mprehtë

“Do të digjemi përjetë.”

hungëroi ajo, e dalldisur.

Ndava buzët dhe i fryva në fytyrë

duke shuar të mallkuarën

dhe gacat e saja përreth.

Pse ti akoma s’më merr?

Tash dëgjoj zërin e tij në kokën time

që për pak më bën të zhbindem

“S’duhej të mbarojë kështu”

më përkëdhel me baritonin atëror

“Do të zvetënohem po vazhdova.

Lëre të më merr…” i lutem sy-mbyllur.

Ndjej qetësinë të më ikë dhe hap sytë

për të parë Vdekjen pranë.

Bebet e syrit m’i përpijnë iridet,

e i shtangur e pyes;

“Ti mundesh… pse atëherë nuk më merr?”

Ajo hesht, më shikon, por ende s’më merr…

 

Shkruar nga Fatos Grubi, student i gjuhës angleze – Shkup

Lajme të ngjashme

Back to top button