Vdes krijuesi i Singaporit, shteti në zi për një javë

Singapori filloi shtatë ditë zie kombëtare pas vdekjes së krijuesit të tij, Lee Kuan Yew, raporton KTV.

Lee, 91 vjeçar, udhëhoqi transformimin e Singaporit nga qytet i vogël port drejt qendrës tregtare e financiare në botë. Njëkohësisht edhe liderë të shumtë botërore kanë shprehur ngushëllime për vdekjen e Lee, i cili shërbeu si kryeministër i vendit për plot 31 vjet.

Zia kombëtare në Singapor do të përfundojë me varrimin e ish-kryeministrit të dielën e ardhshme, derisa trupi i tij do të qëndrojë në parlament nga e mërkura deri të dielën.

Lajmi për vdekjen e tij erdhi përmes një njoftimi qeveritar, ku thuhej se Lee vdiq në orët e para të së hënës në spitalin kryesor të Singaporit. Ai qëndroi aty tashmë disa javë, pasi vuante nga pneumonia.

Para spitalit shumë qytetarë kanë vendosur lule dhe mesazhe ngushëllimi, e të tjerë janë rreshtuar jashtë Istanas, zonë kjo ku ndodhen presidenca e vendit dhe zyra e kryeministrit.

Gjatë një adresimi në televizion, i biri i 91 vjeçarit, tashmë kryeministër i vendin, i shprehu nderime themeluesit të shtetit.
“Ai luftoi për pavarësinë tonë, krijoi kombin kur këtu s’kishte asgjë dhe na bëri qytetarë krenarë. Nuk do të ketë më burra si ai”, tha kryeministri.

Lee Kuan Yew shpalli pavarësinë e Singaporit nga Britania dhe u nda nga Malajzia duke themeluar Partinë Popullore të Aksionit, e cila vazhdon të jetë në pushtet që nga viti 1959.

Lee krijoi fuqinë punëtore me arsim të lartë dhe anglishte të rrjedhshme, duke tërhequr më pas investitorë të huaj që shndërruan qytetin-shtet në njërin prej prodhuesve më të mëdhenj në botë.

Ai realizoi projektin e tij të pastrimit të qytetit nga lagjet e varfra, duke u dhënë qytetarëve arsim e punë dhe luftimin e korrupsionit, derisa ishte avokat i madh i Singaporit shumë-racor. Sidoqoftë, në trashëgiminë e tij theksohet kontrolli i madh dhe shtypja e medieve, si dhe kufizimi i fjalës së lirë.

Disidentët dhe kundërshtarët politikë, gjatë epokës së udhëheqjes së tij shpesh përfundonin pas grilave, derisa aktualisht janë vetëm 6 deputetë opozitarë në parlament.

Mes masave të tjera, si ndëshkimi fizik dhe ndalimi i çamçakëzit, ndërhyrja e qeverisë në mblesëri për krijimin e fëmijëve sa më të mençur shpesh është konsideruar si ndërhyrje e tepruar e shtetit në jetën e qytetarëve, transmeton Koha.net.

Lee po ashtu kritikoi atë që e konsideronte qasje shumë liberale ndaj SHBA-së dhe Perëndimi, duke thënë se kjo po bie në kurriz të qytetarëve të rëndomtë.

Lajme të ngjashme

Back to top button